Ndeshja mes kombëtareve të futbollit të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit sot pasdite në Kampionatin në Katar po pritet me interes jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes dy vendeve. SHBA dhe republika islamike kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1980 pas Revolucionit Islamik dhe aktualisht situata mes tyre është e tensionuar. Kur ekipet u përballën me njëri-tjetrin në Botërorin e vitit 1998, ndeshja që u fitua nga Irani, u konsiderua si nga më të ngarkuarat politikisht në historinë e Kupave të Botës.
Ekipet e të dy vendeve e kanë të qartë që nuk bëhet thjesht fjalë për një lojë futbolli. Trajneri i kombëtares amerikane, Gregg Berhalter tha në një konferencë për shtyp se ekipi i tij do ta përdorte firoren e Iranit 2-1 në vitin 1998 për të nxjerrë mësime dhe për të dhënë maksimumin.
Ai anashkaloi në komentet e tij konsideratat politike duke këmbëngulur se ato nuk do të linin në hije entusiazmin për vetë lojën, ku SHBA mund të kualifikohet për raundin e ardhshëm nëse fiton, ndërsa Iranit i duhet vetëm një pikë.
Por në një shenjë se politika është e pranishme, kapitenit të kombëtares amerikane, Tyler Adams iu desh t’i përgjigjej një pyetjeje të një gazetari iranian, i cili pasi vuri në dukje se ai po e shqiptonte gabim emrin e Iranit, kërkoi mendimin e futbollistit amerikan për diskriminimin e afrikano-amerikanëve në SHBA.
“A ndjeheni mirë që përfaqësoni SHBA-në?”, pyeti gazetari iranian.
"Kërkoj ndjesë për shqiptimin e gabuar të emrit të vendit tuaj. Por diskriminim ka kudo. Unë kam mësuar, veçanërisht nga jeta jashtë vendit në vitet e fundit dhe nevoja për t’u përshtatur me kultura të ndryshme, se në Shtetet e Bashkuara, ne vazhdojmë të bëjmë përparim çdo ditë”, tha kapiteni Adam.
Duke marrë si shembull veten e tij si një person me prejardhje afrikano-amerikane, por i rritur në një familje të bardhë, ai tha se fakti që vinte nga kultura të ndryshme, ia bënte më të lehtë përshtatjen.
“Por jo të gjithë e kanë lehtësinë dhe aftësinë ta bëjnë një gjë të tillë. Pa dyshim duhet më shumë kohë për të kuptuar, dhe mendoj se në këtë drejtim edukimi është shumë i rëndësishëm. Ashtu siç më mësuat ju tani për shqiptimin e (emrit) të vendit tuaj. Pra, është një proces. Gjëja më e rëndësishme është që të ketë përparim”, tha ai.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u pyet për ndeshjen në një konferencë për shtyp në Bukuresht ku ndodhet për një takim të NATO-s.
“Po e pres me padurim ndeshjen SHBA-Iran. Do ta shoh më vonë dhe do të brohoras për Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se ka ndonjë aspekt të veçantë gjeopolitik. Do të jetë një ndeshje konkurruese. Le ta lëmë atë të flasë vetë”, tha zoti Blinken.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë tensionuar vitet e fundit pasi ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Iranin.
Shtetet e Bashkuara vranë një gjeneral të lartë iranian në vitin 2020 dhe Teherani u përgjigj me sulme me raketa ndaj forcave amerikane me bazë në Irak.
Lojtarët e Iranit nga ana tjetër kanë ndjerë presionin e krizës politike në vendin e tyre, ku protestuesit po sfidojnë legjitimitetin e sundimtarëve klerikë të vendit.
Para ndeshjes mes dy vendeve, tensionet u ndezën më tej kur Federata e Futbollit e SHBA-së shfaqi përkohësisht flamurin kombëtar të Iranit në mediat sociale pa emblemën e Republikës Islamike, si një shfaqje solidariteti me protestuesit.
Ndërkohë tifozët amerikanë thanë në Doha se shpresonin që fokusi i ndeshjes të mbetej në fushë dhe jo tek polemikat mes rivalëve gjeopolitikë.
Fakti që pyetjet politike mbizotëruan në konferencën për shtyp, i la të zhgënjyer shumë prej tyre.
"Kjo sigurisht e largon vëmendjen nga loja. Për fat të mirë trajneri, lojtarët nuk u bënë pjesë e këtyre polemikave. Ata janë përgatitur gjatë gjithë kohës për këtë lojë” tha 40 vjeçari Kevin Barker, një tifoz nga Kalifornia.
Paraqitja e Iranit në lojën me Uellsin ku ekipi iranian fitoi 2 me zero, i shqetëson disa tifozë amerikanë.
"Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë. Irani po vjen me të gjitha forcat. Një barazim nuk vlen. Unë shpresoj për një fitore 3-1 që të mund të kalojmë në raundin e dytë”, tha Don, një tifoz nga Miami i Floridës.
Ndërsa të dyja vendet presin të shohin se cili nga ekipet do të fitojë, është e qartë që interesi për lojën i kalon kufijtë e futbollit. /VOA
G.MO/ReportTv.al