Inter ‘ringjallet’ kundër Barcelonës, Napoli 'e ekzagjeron' kundër Ajaxit, Club Brugge nuk ndalet! Të gjitha rezultatet

5 Tetor 2022, 07:09| Përditesimi: 5 Tetor 2022, 15:57

  • Share

Befasues dhe zhgënjyes në të njëjtën kohë për Barcelonën ishte rezultati i supersfidës me Interin në grupet e Champions League. Zikaltërit që ishin në krizë të thellë fituan 1-0 në ‘San Siro-n’ e tejmbushur, duke marrë një 3 pikësh të vyer për italianët. Edhe pse Barcelona mbajti 68% topin, heroi i mbrëmjes ishte turku Calhanoglu, i cili realizoi në minutat shtesë të pjesës së parë nga jashtë zone.  Kjo fitore pas 3 ndeshjeve në grupin C e ngjit Interin në vendin e dytë me 6 pikë, 3 më shumë se Barcelona e vendit të tretë. Në fund pati zhgënjim te katalanasit dhe akuza nga Xavi për një penallti të padhënë. Sakaq ndeshja tjetër e këtij grupi mes Bayern dhe Plzen u fitua 5-0 nga gjermanët. Autorët e golave ishin Sane ‘dopietë’, Mane, Gnabry dhe Choupo-Moting.

Nga sfidat e së martës në mbrëmje rezultati më surprizues ishte fitorja 1-6 e Napolit në fushën e Ajax. Holandezët, fitues 4 herë të Champions League, pësuan humbjen më të rëndë në histori në fushën e tyre. Për më tepër realizuan të parët, ndërsa më pas për italianët shënuan me rradhë Raspadori ‘dopietë’, Di Lorenzo, Zielinksi, Kvaratskehlia dhe Simeone. Triumfi mbreslënës në Amsterdam e mban Napolin në vendin e parë me pikë të plota, i ndjekur nga Liverpool me 6 pikë, që mbrëmë mposhti 2-0 Rangers. Golat u realizuan nga Arnold dhe Salah.

Nga skudrat që po befason deri më tani është edhe Club Brugge, që mori një tjetër fitore. Belgët këtë herë mposhtën pastër 2-0 Atletico Madrid, ndërsa ndeshja tjetër e grupit mes B u mbyll në favor të Portos kundër Bayern Leverkusen po me rezultatin 2-0. Në grupin D Sportingu kryesues u masakrua 4-1 nga Marseille në Francë, ndërsa Tottenham-i i Contes u ndal në një barazim pa gola në Gjermani kundër Eintracht Frankfurt.

Ora 08:05
Tre pikët e para vijnë me ‘poker’, Marseille leksion Sportingut në Francë

 

Në grupin D Sportingu kryesues u mposht në Francë nga Marseille. Vendasit fituan me rezultatin 4-1 dhe morën tre pikët e para në grup. Sanchez, Harit , Balerdi e Mbemba ishin autorët e golave.

Ora 08:05
S’ka fitues në Gjermani, Tottenham-i i Conte-s mjaftohet me një pikë

 

Me rrjeta të paprekura u mbyll sfida tjetër e luajtur në Gjermani mes Frankfurt e Tottenham. Grupin D të Champions e kryeson Sportingu me 6 pikë dhe ndjekin Frankfurt e Tottenham me nga 4.

Ora 07:25
Bayern hipotekon kualifikimin nga grupet, Mane ‘zgjohet’ me ‘dopietë’

 

Bayern Mynih ka hipotekuar kualifikimin. Bavarezët nuk e patën aspak të vështirë të kalonin edhe Viktoria Plzen dhe arritën fitoren e tretë në po kaq ndeshje të luajtura në grupin C duke kryesuar me 9 pikë. Dy herë tundi rrjetën Sane e golat e tjerë u shënuan nga Gnabry ,Mane  e Choupo-Moting.

Ora 07:23
Napoli nxin historinë brilante të Ajax, fitore madhështore në Holandë (Video përmbledhje)

Napoli nuk është i papërmbajtshëm vetëm në Serinë A por edhe në Champions League. Skuadra e Spalletit ka dhuruar spektakël në Amsterdam duke arritur një fitore historike 6-1 ndaj Ajax. Tre fitore në po kaq ndeshje të luajtura për Napolin që kryeson grupin A me 9 pikë të plota. Dygolësh realizoi sulmuesi Raspadori e në listen e golashënuesve emrin e shtuan edhe Di Lorenzo, Zielinski , gjeorgjiani Kvara dhe Giovani Simeone.

 
Ora 07:10
Club Brugge fshin këdo që i del para, e pëson edhe Atletico Madrid (Video përmbledhje)

 

Hirushja e këtij Championsi është Club Brugge. Kampionët e Belgjikës kryesojnë me meritë grupin B me pikë të plota. Mbrëmë në fushën e tyre ranë edhe spanjollët e Atletico Madrid pasi Brugge i mposhti 2-0. Tre fitore në po kaq ndeshje për belgët që janë shumë pranë kualifikimit ndërsa Atletico zbret në vendin e fundit në grup.

Ora 06:50
Porto shijon 3 pikët e para në Champions, Leverkusen ‘bie’ në Portugali (Video përmbledhje)

 

Fitoren e parë në grupin B e mori më në fund edhe Porto që mundi 2-0 gjermanët e Bayer Leverkusen. Luzitanët shënuan dy herë në fraksionin e dytë me Sanusi e Galeno. Brugge e kryeson grupin me 9 pikë ndërsa Porto, Leverkusen e Atletico janë në kuotë të njëjtë pikësh nga tre secila.

Ora 06:10
Liverpool s’e fal Rangers, Salah dhe Arnold mjaftojnë për vendin e dytë (Video përmbledhje)

Liverpool u ngjit në vend të dytë të grupit pasi fitoi pastër 2-0 derbin britanik ndaj Rangers. Golat u shënuan nga një për çdo pjesë me Alexandër-Arnold dhe Salah. 6 pikë për skuadrën e Klopp që hedh një hap të sigurtë drejt kualifikimit.

Ora 23:26
Kriza ndalet kundër Barcelonës, Inter merr 3 pikë të vyera në Champions (Video përmbledhje)

Interi ringjallet në Champions League. Zikaltërit mundën 1-0 Barcelonën në “San Siro” dhe sigurojnë tre pike shumë të rëndësishme në garën për tu kualifikuar në grupin C. Sfidën e vendosi një gol në shtesën e pjesës së parë nga turku Hakan Calhanoglu që bëri stadiumin të shpërthejë në festë. Ndeshje që u shoqërua edhe me polemika me katalanasit që ndihen të vjedhur. Interi mban vendin e dytë në grupin C me 6 pikë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?