Integrimi në BE/ Gjeta në Report Tv: Të diskutohet ndarja nga Maqedonia e Veriut! Dyshoj se Shqipëria do përballojë procesin e negociatave

11 Korrik 2022, 19:34| Përditesimi: 11 Korrik 2022, 20:22

  • Share

Politologu Altin Gjeta foli në Report Tv në emisionin "Studio Live" nga gazetari Arbër Hitaj për celjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deri tani procesi ka qenë peng i vetos bullgare për RMV, ndaj Gjeta thekson se vlen për tu diskutuar që Shqipëria të vijojë rrugën e vetme drejt integrimit europian.

"Maqedonia e Veriut ka një konflikt dypalësh me Bullgarinë dhe kjo e ka penguar Shqipërinë por nuk është vetëm kjo arsyeja. Ka dhe dështime si nga Brukseli por edhe nga vendet kandidate që nuk kanë bindur dot shumicën e shteteve anëtarë që kanë bërë progres të dukshëm.

Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është diskutim që vlen të bëhet por rasti është kompleks dhe nuk shoh vullnet në Bruksel për ta bërë këtë sepse do të cënonte kredibilitetin, besueshmërinë dhe lidershipin e BE në proces. Ata nuk janë të gatshëm që të dështojnë përsëri, kështu që e shikoj të vështirë që dy vendet do të ndahen", tha Gjeta.

Ndër të tjera theksoi se të dy vendet i kanë plotësuar kriteret nga ana formale, por në praktikë rezulton se kanë një sërë problemesh duke nisur nga demokracia deri tek korrupsioni. Ndër të tjera thekson se Shqipëria do e ketë të vështirë të përballojë procesin e negociatave.

"Teknikisht të dy vendet i kanë plotësuar kriteret formale për të nisur procesin e negociatave. Të dy vendet meritojnë të nisin negociatat në BE dhe anëtarësim. Do thoja që në praktikë ka shumë indikatorë që tregojnë se dy vendet kanë probleme me demokracinë, me funksionimin e tregut të lirë, me shtypin dhe median e lirë, me prokurimet publike, korrupsionet dhe luftën kundër krimit të organizuar. Megjithatë formalisht kanë plotësuar kriteret dhe do të duhet të nisë procesi i negociatave, një proces kompleks të cilin dyshoj se Shqipëria do të jetë në gjendje ta përballojë me sukses duke marrë në konsideratë kapacitetet e dobëta institucionale që ka dhe vulnerabilitetin ndaj krizave të shpeshta politike", tha Gjeta.

Ditën e sotme, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla mori pjesë në Simpoziumi Ndërkombëtar Symi në Athinë duke thënë se Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë mund të mbahet javën e ardhshme më 19-20 Korrik.

Kujtojmë se disa ditë më parë vetë Bullgaria pranoi të hiqte veton dhe pranoi kështu një propozim të Presidentit francez Emannuel Macron për të zgjidhur konfliktin mes 2 vendeve. Tashmë pritet që i njëjti propozim të miratohet nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut për të bërë të mundur përcaktimin e datës nga ana e Këshillit Evropian.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?