Raporti për Shqipërinë i votuar në PE

Integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë, PE miraton 2 raporte, i kërkon BE-së të nisë bisedimet

19 Maj 2022, 14:42| Përditesimi: 21 Maj 2022, 13:29

  • Share

Parlamenti Europian i ka i bërë kërkesë Këshillit që të hapë negociatat për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Në dy raportet e miratuara, ku i kërkohet BE-së që të nisë bisedimet, vlerësohet progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Parlamenti i kërkon Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit duke vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin kundër Ukrainës.

“Edhe pse të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian dhe kanë dhënë rezultate të qëndrueshme, Këshilli nuk ka hapur ende negociatat e anëtarësimit me ta”, thonë eurodeputetët. Eurodeputetët inkurajojnë gjithashtu Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre veçmas në mënyrë që të mos ndikojë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Shqipëria, një partner strategjik i besueshëm dhe i përkushtuar

Eurodeputetët vlerësojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE. Ata i kërkojnë Shqipërisë të ketë prioritet drejtësinë që të funksionojë në mënyrën e duhur, të forcojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë.

Gjithashtu thekson se në Shqipëri duhet të fuqizohet shoqëria civile, të vijojë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.

Raportuesja e PE për Shqipërinë Isabel Santos tha: “Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar. Ajo vazhdon të ecë përpara me reformat themelore të BE-së, po përmbush dhe ruan kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e drejtë që Këshilli më në fund të pranojë të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë.”

Raporti u miratua me 519 vota pro, 52 kundër dhe 28 abstenime.

Maqedonia e Veriut - Rekordi më i mirë i tranzicionit demokratik në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor

Parlamenti vlerëson përpjekjet e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e administratës së saj publike dhe konsolidimin e lirisë së medias.

Raporti gjithashtu vuri në dukje rreziqet e rritjes së varësisë ekonomike dhe energjetike nga Kina dhe Rusia. Gjithashtu paralajmëron se varësia nga kreditë e investimeve të financuara nga Kina rrit cenueshmërinë e rajonit.

Raportuesi Ilhan Kyuchyuk tha: “Maqedonia e Veriut demonstroi rekordin më të mirë të tranzicionit demokratik në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është plotësisht në linjë me politikën e jashtme të BE-së përballë agresionit rus kundër Ukrainës. Duke pasur parasysh kontekstin më të gjerë gjeostrategjik dhe se vendi ka dhënë rezultate të qëndrueshme, ne bëjmë thirrje që negociatat e anëtarësimit të vonuara të fillojnë zyrtarisht. Unë mirëpres angazhimin pozitiv për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në pritje dhe i bëj thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të gjejnë menjëherë një zgjidhje të pranueshme.”

Raporti u miratua me 508 vota pro, 56 kundër dhe 35 abstenime.

Ora 18:40
PE i kërkoi BE-së të nisë hapjen e negociatave për Shqipërinë, ministrja e Jashtme përshëndet vendimin: Koha të tregojmë vizionin strategjik

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur mirënjohjen ndaj parlamentit Europian për kërkesën e bërë ndaj Këshillit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Mirënjohëse parlamenti Europian për Rezoluta për Shqipërinë, e miratuar sot me shumicë dërrmuese, me vlerësim të lartë të orientimit strategjik të Shqipërisë dhe angazhimit të palëkundur ndaj BE. Përshëndes thirrjen e qartë kristal për hapjen e vonuar të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Është koha për të treguar vizionin strategjik dhe njohjen e meritës.”, shkruan Xhaçka.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?