Foto ilustruese

INSTAT publikon shifrat e punësimit për tre mujorin e fundit të 2022! Shënohet rritje krahasuar me një vit më parë! Sektori i shërbimit me kontributin më të lartë

10 Mars 2023, 15:14| Përditesimi: 10 Mars 2023, 15:21

  • Share

Në tremujorin e katërt të vitit 2022 u regjistruan 4.2% më shumë  të punësuar krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2021, ndërsa shënoi rënie me 0.4% në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022. Ndërkohë, rënie ka pësuar dhe shkalla e papunësië, që kapi vlerën 10.8%, duke shënuar një rënie 1,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe është rritur me 2,5 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. 

Në tremujorin e katërt 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 74,8 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 4,4 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1,4 pikë përqindje. Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 69,1 %, ndërsa për burrat ky tregues është 80,7 %.

Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 11,6 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 5,9 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 3,0 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 56,8 %. Ky tregues është rritur me 2,9 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, dhe me 1,9 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2022. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 83,4 %.

Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2021 në tremujorin e katërt 2022, është +4,2 %. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 0,5 % në sektorin e industrisë, me 6,3 % në sektorin e shërbimeve, dhe me 3,8 % në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 0,4 %. Punësimi u ul me 2,5 % në sektorin e bujqësisë, dhe me 0,3 % në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 1,4 % në sektorin e shërbimeve.

Shkalla e punësimit për burrat e grup-moshës 15-64 vjeç është 71,8 %, ndërsa për gratë është 61,4 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 3,0 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 6,0 pikë përqindje. Në tremujorin e katërt të vitit 2022 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,6 %. Ky tregues është rritur me 1,8 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, dhe me 0,9 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2022. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2022, shkalla e punësimit është 77,0 %

Papunësia

Në tremujorin e tretë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10,8 %. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2021, dhe u rrit me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,7 % dhe për gratë 11,0 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e papunësisë është ulur me 0,3 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,8 pikë përqindje për gratë.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 21,5 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e katërt 2022, është rritur me 0,9 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, ky tregues është rritur me 1,0 pikë përqindje.

Popullsia ekonomikisht jo-aktive Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, 17,4 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 8,5 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,2 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të katërt 2022, 9,3 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. 

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 67,5 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 8,0 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 16,6 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.
 

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?