Çmimet mbeten të larta, viti u mbyll me inflacion 4.7%! Ushqimet kryesojnë rritjen për 2023-shin

10 Janar, 11:29| Përditesimi: 10 Janar, 17:30

  • Share

Konsumatorët shqiptarë shpenzuan shumë për t’u furnizuar me ushqime gjatë vitit të kaluar, pasi pothuajse të gjitha produktet u shtrenjtuan ndjeshëm.

Një kilogramë zarzavate ku përfshihen edhe patatet, u kushtoi qytetarëve mesatarisht 18% më shumë se në vitin 2022. Shtrenjtimit nuk i shpëtoi asnjë produkt i shportës. Në raportin e fundit të publikuar nga INSTAT, mbi indeksin e çmimeve, vërehet se inflacioni u rrit në muajin e fundit të vitit ndikuar kryesisht nga çmimet e ushqimeve dhe argëtimi.

Inflacioni në muajin dhjetor ishte 4%, nga 3.9% që ishte në muajin nëntor, dhe ndryshe nga vendet e BE-së, ku çmimet janë në rënie, në Shqipëri po ndodh e kundërta.

Në muajin e Krishtlindjeve dhe të ndërrimit të viteve, ushqimet u shtrenjtuan me 6.7%, ku brenda këtij grupi “zarzavate përfshirë patatet” u shtrenjtuan me 20,8 %, pasuar nga “fruta” me 10,9 %, “qumësht dhe vezë” me 6,7 %, “mish” me 5,5 %, “sheqer, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,7 %, apo “peshku” me 2,4 %.

Pas ushqimeve, në dhjetor argëtimi ka kushtuar 5,4% më shumë, ndjekur nga mobilimi i shtëpisë me rritje 4.6%, apo hotelet, restorantet, kafenetë, pijet alkoolike e duhani që u shtrenjtuan me 4.4%. të gjitha grupet e mallrave janë në rritje me përjashtim të transportit që është në ulje me 3,3 %, ndikuar nga rënia e çmimit të karburantit në ditët e fundit të dhjetorit.

Ndërkohë inflacioni mesatar për gjithë vitin 2023 është 4.7%, rreth 1.7% më i lartë se objektivi i Bankës së Shqipërisë, e cila synon që brenda këtij viti ai të zbresë në 3%. Kurse në krahasim me inflacionin e vitit 2022, ka rënie me rreth 2%, pasi në kulmin e krizës, çmimet u rritën mesatarisht me 6.7%.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?