INSTAT: Çmimet e ushqimeve dhe qirave rrisin inflacionin

7 Shkurt 2020, 14:35| Përditesimi: 7 Shkurt 2020, 16:19

  • Share

Rritet minimalisht inflacioni në muajin e parë të këtij viti, krahasuar me muajin dhjetor. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në janar indeksi i çmimeve të konsumit u rrit 1.5%. Kjo rritje ishte 1.1% në muajin dhjetor.

Ndikim për këtë muaj ka dhënë kryesisht grupi i ushqimeve dhe grupi i qirave. Referuar statistikave, rritja e çmimeve tek ushqimet dhe pijet joalkoolike ka qenë 0.92% dhe çmimet e qirave 0.31%. Ndërkohë që, krahasuar me muajin dhjetor, rritja e çmimeve ka qenë shumë më e ndjeshme, përkatësisht 4.4 dhe 1.3%, duke dhënë kështu edhe kontributin më të madh në rritjen e inflacionit.

Gjithsesi, inflacioni mbetet shumë larg objektivit të Bankës së Shqipërisë që është nga 2 deri në 4 për qind, me një mesatare 3%. Po ashtu, ky nivel është edhe më i ulët se në janar të 2019-ës, kur inflacioni ishte 1.9%. Viti që lamë pas, bazuar në të dhënat e INSTAT-it, është mbyllur me inflacion në nivelin e 1.1%.

Grupi i veshjeve e këpucëve dhe ai shëndet e komunikim kanë shënuar ulje të çmimeve. Inflacioni i ulët është një sinjal, që, sipas ekspertëve, flet për konsum të dobët. Sikurse deklaroi dhe guvernatori Gent Sejko pak ditë më parë, këtu ka ndikuar edhe tërmeti i 26 nëntorit, që solli dhe rënie të ndjeshme të konsumit në qytetet ku qarkullimi i mallrave është më i lartë. Po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë në rënien e këtij treguesi ndikon rritja e ulët e pagave.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?