Inflacioni dhe normat e interesit rrisin kreditë e këqija! BSH: Situata mund të përkeqësohet prej kostove të shtuara të jetesës

10 Tetor 2023, 16:39| Përditesimi: 10 Tetor 2023, 16:52

  • Share

Megjithëse kreditë me probleme për shkak të inflacionit dhe normave të larta të interesit, u rritën lehtë në muajin gusht, Banka e Shqipërisë thotë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej prej kostove të shtuara të jetesës dhe rënies së fuqisë paguese të kredimarrësve.

Çmimet e larta, kostot e shtuara të jetesës si dhe rritja e normave të interesit, po ndikojnë në cilësinë e kredisë në vend.

Sipas bankës së Shqipërisë në muajin gusht kredia me probleme u rrit përsëri, nga 5.2% që ishte arriti në 5.3%. Edhe në krahasim me një vit më parë raporti i kredive me probleme është në rritje, duke dëshmuar për një rënie të fuqisë paguese të individëve dhe bizneseve kredi marrëse.

Për Bankën e Shqipërisë ky përkeqësim i raportit të kredive të këqija ishte i pritshëm për shkak të inflacionit të lartë dhe të normave të interesit që janë rritur.

“Pritet që rritja e normave të interesit të ketë një efekt negativ në cilësinë e kredisë në afatin e mesëm, por ky efekt vlerësohet të jetë në vlera të moderuara”, thotë Banka e Shqipërisë.

Niveli i kredive me probleme deri në fund të muajit gusht përllogaritet në vlerën 38,4 miliardë lekë.

Edhe për muajit e ardhshëm pritet që të ketë një ulje të cilësisë së kredisë, dhe rrjedhimisht të rriten lehtë huatë e këqija pasi pasiguria prej inflacionit mbetet e lartë.

Sipas bankës prezenca e presioneve inflacioniste, shtrëngimi i kushteve të financimit dhe ecuria e luftës në Ukrainë, vazhdojnë të rëndojnë mbi konsumin dhe investimet, duke bërë që ekonomia të zgjerohet me ritme të ngadalësuara.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?