Pëllumb Abeshi

Inceneratori i Tiranës, GJKKO liron nga burgu ish-zyrtarin e Ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshi

10 Janar, 15:34| Përditesimi: 10 Janar, 16:33

  • Share

Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu ish-zyrtarin e Ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshin. Ndaj tij ishte caktuar masa ‘arrest me burg’ në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Ndaj këtij vendimi, Abeshi ka dorëzuar në 8 janar kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit.

Abeshi ishte kryetari i Komisionit të Shpronësimit të ngritur me urdhër të Ministrisë së Mjedisit në kohën kur ky dikaster drejtohej nga Lefter Koka. Emri i Abeshit ishte mes 15 personave të tjerë për të cilët SPAK firmosi urdhër-arreste më 7 dhjetor 2023 sa i takon hetimit të nisur tre vite më parë për kontratën e koncesionit "Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, me vlerën e investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në shumën 128,248,330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH, firmosur më 31 gusht 2017.

Njoftimi i GJKKO:

1.            I pandehuri Pëllumb Abeshi më datë 08.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj tij me vendimin nr. 20, datë 27.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2.            Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 261, gërma “c” dhe 262 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 31, datë 10.01.2023, vendosi:

-              Pranimin e kërkesës.

-              Shuarjen e masës së sigurimit “Arresti në burg”, caktuar ndaj shtetasit Pëllumb Abeshi me anë të vendimit Nr.20Akti, datë 27.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

-              Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Pëllumb Abeshi nëse nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale. 

-              Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

-              Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Ndërkohë, ndaj tij është caktuar masa 'arrest me burg' edhe për hetimet mbi inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. 

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?