Festa e Ballkanit pas fitores me Malishevën

Ilir Daja 'magjik' në Kosovë, Ballkani fiton 0-2 në transfertë dhe nuk njeh humbje këtë sezon

24 Nëntor 2023, 15:50
  • Share

Superliga e Kosovës në futboll zhvilloi këtë të premte sfidën e parë për javën e 15-të. Ballkani i Ilir Dajës fitoi 0-2 në transfertë kundër Malishevës, duke dominuar një sezon që flet për ekipin nga Theranda, teksa djemtë e Ilir Dajës thellojnë diferencën në krye të klasifikimit.

Dueli do vendosej që në pjesën e parë. Ishte i përhershmi Nazmi Gripshi që në minutën e 30-të zhbllokoi sfidën, ndërsa në të 45 minutë Berisha "vulosi" tri pikët për skuadrën kampione në fuqi të Kosovës.

Ballkani me dy ndeshje më pak se rivalët mban vendin e parë me 35 pikë, dhjetë më shumë se Drita e vendit të dytë. 11 fitore dhe dy barazime këtë sezon për skuadrën e Ilir Dajës, me trajnerin që u shpreh i lumtur pas duelit.

"Mungesa e Dellovës, Zybës dhe Kuçit që kishin ndeshje me Përfaqësuesen e Kosovës dhe Malit të Zi, u vërejt. Në pjesën e dytë ishim më të mirë, më të qetë, pas shënimit të golave në pjesën e parë. Malisheva ka ekip simpatik me lojtarë të rinjë e perspektivë.

Pas rikonstruktimit të këtij stadiumi, është këndshëm të luash futboll në këtë fushë. Mua më vjen mirë sepse vazhdojmë me fitore edhe pse kundërshtari na vuri në vështirësi. Ne kemi lojtarë me goxha cilësi individuale. Në momentin që dalin në raste të pastra duhet të jenë më cinik, më të saktë para portës. Duhet t’i shfrytëzojmë rastet që na vijnë", tha Daja për mediet.

Takimi i radhës për Ballkanin do jetë të enjte kundër Viktoria Plzen për grupet e Conference League si pritës, me stadiumin që ende nuk është konfirmuar. Me fushën e keqe të "Fadil Vokrrit", opsion mbetet që dueli të zhvillohet në "Kukës Arena" ose në "Air Albania" në Tiranë.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?