IKMT vijon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Kombinat

23 Janar 2015, 07:46| Përditesimi:

  • Share
/ATSH/-Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit vijon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike.
Në një njoftim zyrtar, IKMT bën të ditur se aksioni është shtrirë në Kombinat. Prej "Pallatit me shigjeta" deri pranë varrezave të Sharrës, në rrugët parësore dhe dytësore, do të lirohen të gjitha hapësirat publike të zëna nga objektet e paligjshme", citohet njoftimi.

Dy ditë më parë, Kryeinspektorja e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici parashtroi ndryshimet ligjore që parashikohen në Kodin Penal, që do të hyjnë në fuqi më datën 1 shkurt. Sipas Bicit, qytetarët që ndërtojnë në mënyrë të jashtëligjshme, duke filluar nga data 1 shkurt do të ndëshkohen jo më me gjobë, por do të shkojnë për ndjekje penale.

Ndryshimet e reja në Kodin Penal, të miratuara në fund të vitit 2014, kanë kthyer ndërtimet pa leje në vepër penale, si për pronarët e ndërtimit, ashtu edhe për sipërmarrësit, zbatuesit e projekteve apo mbikëqyrësit e punimeve. "Kemi ndryshime edhe në masën e dënimit, nga 1 vit ka shkuar në 5 vjet, duke shtuar dhe konceptin e pasojave të rënda, si në tokë private, ashtu edhe në atë shtetërore. Dënimi është parashikuar me burg deri në 3 vjet edhe për ata që ndihmojnë e asistojnë në ndërtimet e paligjshme", tha Bici. Ashpërsimi i masave synon frenimin e ndërtimeve pa leje në vend.

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?