Ikmet Mino, mjeshtri i vozave të drurit në Këlcyrë: Qeveria duhet të mbështesë artizanët e rinj që tradita më mos zhduket

26 Nëntor 2022, 16:08| Përditesimi: 26 Nëntor 2022, 16:15

  • Share

“Ndodhemi në Këlcyrë ku tradita nuk është zhdukur sepse ka një personazh simpatik i cili nuk e ka braktisur traditën e prodhimit të vozave të drunjta. Është Ikmet Mino, unikal në gjithë Shqipërinë”.

Artizani Ikmet Mino e ka trashëguar zanatin dhe prej 55 vitesh punon vozat e drunjta për mbajtjen e verës, rakisë dhe djathit.

“E kam filluar punën që nga 1967, kam punuar vetë por dhe kam mësuar  disa nxënës se kam pasur kurs profesional. Eshtë zanat i rrallë dhe i vështirë”, tha ai.

Ikmeti na fton në punishte për të pare gjithë procesin e punimit të vozave. Lënda e parë është lisi i cili nuk mungon në pyjet e Përmetit pavarësisht se dora e njeriut nuk ka kursyer pyjet vitet e fundit.

“Kur fillojmë të përgatisim vozën, duhet të bëhet një zjarr dhe me anë të zjarrit ngrohet dhe spërkatet me ujë dhe i vihet kavo që I jep formën rrethore”, shpjegon ai.

Pas viteve ’90 baxhot përdorën enë plastike, por tashmë duket se janë rikthyer sërish tek vozat për ruajtjen e djathit.

“Vozat e djathit përdorën në zonat e Gjirokastrës, Labërisë por ka filluar ti tërheqë dhe zona e Fierit. Djathi rri i pastër në dru, ndryshe nga enët plastike”.

Shumë të rinjtë në Këlcyrë e kanë mësuar zanatin nga Ikmeti, por shumica prej tyre janë larguar në emigrim. Përmes Report TV, apelon qeverinë të krijojë skema mbështetëse për artizanët e drurit.

“Kam pasur kurs por nuk mund ta mbaj sepse të gjitha shpenzimet i kisha të miat. Unë jam 71 vjeç ndaj detyrohem të mbaj dy djem, kursantë që më ndihmojnë, por pjesa më e madhe e atyre qe mbaruan kursin kanë emigruar. Për të hapur një punishte është vështirë se do investim të blesh makineritë dhe të sigurosh lëndën e parë, ndaj shteti duhet të na mbështesë të rinjtë që duan ta ushtrojnë këtë zanat”, shprehet artizani Ikmet Mino.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?