Igli Tare dhe Simone Inzaghi

Igli Tare 'ngre në qiell' Simone Inzaghin: Është si Pep Guardiola, 'maniak' pas detajeve

24 Shkurt, 18:49| Përditesimi: 24 Shkurt, 18:51

  • Share

Igli Tare, ish-drejtori i Lazios është një njohje e vjetër e Simone Inzaghit në fushë dhe pankinë. Shqiptari ka folur për "Radio Deejay" dhe ka thënë se trajneri i Interit ngjan në të menduar me Pep Guardiolën, duke lënë të kuptohet se rezultatet e zikaltërve nuk janë të rastësishme.

"Që kur ishte futbollist dallohej që kishte diçka të veçantë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Pep Guardiolën. Kishin diçka më shumë se të tjerët. Simone të mashtron në dukje. Ai është gjithmonë gazmor, por në realitet kujdeset për çdo detaj të vogël.

Punon nga mëngjesi deri në darkë, duke u kujdesur për gjithçka. Është i fiksuar pas detajeve. Ka diçka më shumë se të tjerët sa i përket krijimit të marrëdhënies me skuadrën dhe lojtarët në veçanti. Ai dhe Pep kanë një mënyrë shumë të ngjashme të të menduarit", tha Tare.

Më pas ish-drejtori i Lazios komentoi edhe situatën e Juventusit, duke thënë se priste më shumë prej tyre.

"Unë mendoj se Juventusi është në vendin e dytë, por prisja më shumë prej tyre, duke pasur parasysh se ata nuk janë të shpërqëndruar nga konkurrenca evropiane. Ata mbeten një skuadër e fortë, ashtu si Milani. Do të them se ajo që po bën Bologna është një surprizë e mrekullueshme, me të vërtetë është një kënaqësi për t'u parë", theksoi Tare.

Interi kryeson Serinë A me nëntë pikë diferencë nga ndjekësit e Juventusit. 

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?