Ideologjizimi '69,“Si kemi ndryshuar
programet e reja të letërsisë së huaj” 

26 Korrik 2016, 15:11| Përditesimi:

  • Share
Dy dokumente të vitit 1969, hartuar nga sektori i edukimit në komitetin Qendror të PPSH-së shpjegojnë me themel se si  ka ndërhyrë ideologjia në edukimin artistik e letrar në Shqipëri gjatë regjimit komunist dhe se si ndërhyhej në metodologjinë e shkollave sa herë ashpërsohej dialektika e shefit të regjimit.

Dy relacionet  analizojnë  “problemet ideologjike të historisë së Arteve në Institutin e lartë të arteve  dhe të kurseve historiko-letrare të letërsive të huaja në universitetin shtetëtor të tiranës”.

Dje botuam dokumentin e parë, ku zbulohej se me ç’mënyra bëhej përzgjedhja e teksteve e autorëve dhe e rrymave artistike dhe çfarë spastrohej nga tekstet e historisë së arteve, muzikës dhe arkitekturës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në kohën kur arriti kulmin “Fushata për revolucionarizimin e jetës së vendit”.

Pas këtij dokumenti sjellim sot relacionin e përgatitur për diskutimet rreth ndryshimeve që do të bëheshin në tekstet historiko-letrare sidomos në drejtim të letërsive të huja që studioheshin në Universitetin e Tiranës. Cilët do të ishin shkrimtarët e preferuar të regjimit në këtë stad të historisë komuniste të shqipërisë? Si do të ndërhyhej në tekste, cilat rryma do të lejoheshin? Si do të trajtohej letërsia antike e rilindjes apo ajo bahskëkohore? Më poshtë e sjellim të plotë relacionin e përgatitur nga sektori i edukimit ën komitetin qendror të PPSH-së.

 
Dokumenti i plotë
 
Probleme ideologjike të kurseve historiko-letrare Të letërsive të huaja në usht
 
Si përfundim i diskutimeve të gjera, i rrahjes së mendimeve, në dritën e mësimeve të partisë dhe të shokut Enver, janë hartuar programet e reja të letërsisë së huaj në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe dhe në degët e tjera të Fakultetit Histori-Filologji. Në këto programe është forcuar boshti ideologjik, janë studiuar ata autorë që përfaqësojnë më mirë epokën dhe janë lënë jashtë autorë të dorës së dytë. U korrigjuan të metat që shpreheshin në adhurimin absolut të disa shkrimtarëve të mëdhenj, në shpërpjesëtime dhe erudicione të sëmura. Këto programe kanë filluar të zbatohen dhe leksionet janë bërë më problemore, me më përmbajtje, janë hequr hollësirat e tepërta dhe karakteri i panevojshëm përshkrues, që vihej re më përpara. Gjatë diskutimit pati edhe qëndrime ekstremiste, për të shpënë në minimum veprat dhe autorët e huaj që do të studioheshin në shkollë. Ky qëndrim u kritikua dhe mendojmë se është gjetur rruga e drejtë.

Një vend i rëndësishëm në planet dhe programet mësimore u jepet periudhave bashkëkohore, letërsisë së shek. XX, në radhë të parë, fenomeneve pozitive, por edhe rrymave dekadente dhe revizioniste. Për këtë periudhë kurset janë ende të papërgatitura mirë, nuk kemi specialistë që të njohin sidomos fenomenet më të reja. Prandaj këtu lindin edhe më shumë diskutime mbi probleme që duan një zgjidhje të mëtejshme.

Në diskutimin e programeve, gjatë zhvillimit të leksioneve, nga kërkesat dhe pyetjet e studentëve, në punimin e temave shkencore, në rrahje e mendimeve kanë dalë probleme ndaj të cilave janë mbajtur qëndrime të ndryshme. Në disa raste mendimi është sqaruar, është arritur në një përfundim, por, në raste të tjera, problemi ka mbetur i paqartë.

Zhvillimi i bisedave, i diskutimeve shkencore, thellimi në fenomenet, sqarimi i qëndrimeve është një detyrë e vazhdueshme
që ne duhet ta kryejmë më mirë. Në këtë relacion ne po shënojmë disa nga problemet që na kanë preokupuar për të marrë një orientim të mëtejshëm në zgjidhjen konkrete të tyre ose për rrugët që duhen ndjekur.

1. – Letërsia perëndimore e shek. XIX studiohet përmes autorëve dhe rrymave kryesore, romantizmit përparimtar dhe realizmit kritik. Fenomenet më pozitive janë në qendër të vëmendjes, duke i marrë ato në kompleksin e vet dhe me kufizimet që kanë. Në programe është pasqyruar edhe lufta e rrymave të ndryshme, sepse kështu do të dalë më mirë në pah zhvillimi i artit, afirmimi i letërsisë përparimtare në luftë me letërsinë reaksionare apo kontradiktat e brendshme në krijimtarinë e një autori të shquar apo në një drejtim të tërë letrar.

Për këtë ka pasur mendime të ndryshme. Disa thoshin se nuk duhet folur për rrymat dhe autorët dekadentë ose me tendenca reaksionare, disa të tjerë se për to duhet folur në mënyrë panoramike, pa u kushtuar shumë vend dhe pa u marrë me analizën e veprave të veçanta. Pikëpamja e dytë duket se ishte më racionale dhe kjo është pasqyruar në programe. Në diskutimet e mëvonshme që janë zhvilluar është pranuar, në përgjithësi, kjo zgjidhje, veçse ka pasur mendime që autorë të njohur si Dostojevski, të mos bëhen vetëm me një panoramë të shkurtër por të analizohen edhe me ndonjë vepër të tyre përfaqësuese. Kështu, një student që mbaron shkollën e lartë mbi letërsinë do të ketë njohuri më të sakta përse botëkuptimi i Dostojevskit ishte reaksionar, ku shprehet “ndërgjegjja e tij e sëmurë” dhe cilët janë vë veprën e tij elementët realistë që japin tablo të varfërisë së asaj kohe në Rusi. Ne mendojmë se si Dostojevski që nga zënë fill disa rryma të sotme dekadente ashtu edhe autorë të tjerë të njohur si Bodleri, Shatobriani etj., mund të studiohen edhe me ndonjë vepër konkrete për të kuptuar më mirë problemet e rrymave letrare, për të pasur një ide më të qartë ç’është dekadentizmi etj.
 
SHENIM ME SHKRIM DORE MBI DOKUMENT
– (Në leksione mund të ndalemi më gjatë të analizojmë pikëpamjet e autorit në një vepër. Studenti le të lexojë jashtë mësimit ç’të dojë, aq më tepër që s’i kemi në shqip.)
 
Problemi vështirësohet kur vjen puna te literatura që duhet të lexojnë studentët. Ne nuk jemi të mendimit që të përkthehen vepra të këtij lloji, sepse kjo mund të sillte më tepër dëm se sa dobi, por për studentët që i kanë në mësim mund të jepej leje të lexonin në gjuhë të huaja, gjë që tani pothuajse nuk bëhet (sigurisht për ata që mund të lexojnë në gjuhë të huaja).

Kur u diskutua ky problem, pati edhe shokë që u shfaqën kundër këtij qëndrimi. Ata shoshin se nuk është e nevojshme të analizohen vepra të veçanta të autorëve të tillë, sepse kështu mund të çorientojmë studentët.

2. – Në një diskutim shkencor mbi kriteret e studimit të letërsisë ruse të shek. XIX u rrahën mendimet mbi autorët që duhet të jenë objekt kryesor studimi. Me të drejtë u kritikua himnizimi që u bëhej më parë figurave të mëdha letrare si Pushkini, Tolstoi etj., dhe u pohua mendimi se duhen zbuluar më thellë, lidhur më mirë me epokën dhe me botëkuptimin filozofik vlerat e tyre të mëdha, por edhe kufizimet dhe anët negative. Gjithashtu me të drejtë u kritikua lënia në harresë ose mungesa e evidentimit të shkrimtarëve me tendenca më të theksuara demokratike revolucionare si Nekrasovi, Shedrini etj. Studimi i tyre është i nevojshëm për të konceptuar drejt dhe për të njohur letërsinë ruse të asaj periudhe.

U shfaqën pikëpamje edhe për vendin që duhet të zënë shkrimtarë të njohur rusë në kursin historiko-letrar. Janë dhënë këto mendime:
a) Disa thonë se, në radhë të parë, duhen studiuar pikërisht shkrimtarët që janë bartës të tipareve demokratike dhe revolucionare, d.m.th. Shedrini, Nekrasovi, Çernishevski. Arti i tyre mund të mos jetë aq i madh sa i Tolstoit, Gogolit etj., por kanë përmbajtjen të qartë. Pushkini, Tolstoi, Gogoli etj., -thonë ata, - duhet të studiohen në radhë të dytë e të tretë, sepse krijimtaria e tyre ka shumë kontradikta dhe botëkuptimi i tyre nuk ka qenë aq përparimtar si i të tjerëve.
c) Ca të tjerë mendojnë se është gabim të mos studiohen Nekrasovi etj., se lënia e tyre jashtë kursit do të qe e njëanshme, por e quajnë disi vulgarizuese pikëpamjen e parë, sepse letërsia përcaktohet nga uniteti i brendisë me formën, nga rezultatet, nga pesha e veprave letrare në kuptimin social-estetik. Prandaj, - thonë ata, - në radhë të parë, do të studiohen artistët e mëdhenj të një kombi, natyrisht, kur vepra e tyre nuk është reaksionare në thelb, por përparimtare, pasqyrë e qartë e realitetit, kur denoncon shëmtimin borgjez dhe i heq maskën hipokrizisë aristokratike me forcën artistike të fjalës.

SHENIM ME SHKRIM DORE MBI DOKUMENT -(Kjo duhet bërë. Nuk duhet banalizuar çështja. (Të mos bëjmë si NSHB).
Çështje të tilla analoge kanë dalë e mund të dalin edhe për letërsitë perëndimore dhe qëndrimi duhet të jetë i njëjtë. Kështu, p.sh., me të drejtë, u fut në program letërsia e periudhës së Komunës së Parisit, e cila përpara thuajse lihej në harresë. Por kjo nuk do të thotë që poetëve të Komunës t’u jepet më shumë vend se ndonjë autori të njohur, vepra e të cilit ndihmon për të kuptuar gjerësisht epokën dhe për të ngritur probleme të shumta shoqërore dhe artistike (si p.sh. Balzaku).
Pikëpamja e dytë u quajt më e drejtë, sado që disa mbetën në pikëpamjen e vet të parë.

3. – Studimi i letërsisë së shek. XX përfshin fillimet realiste, luftën e rrymave, në një pjesë të madhe letërsinë e realizmit socialist, duke pasur parasysh letërsinë revolucionare sovjetike dhe përfaqësues të letërsive revolucionare bullgare (Vapcarovit), çeke (Fuçik), daneze (Neks), frënge (Barbys), gjermane (Breht) etj. Zgjerimi i caqeve të studimit të letërsisë së realizmit socialist, duke mos mbetur vetëm te letërsia sovjetike, na duket i nevojshëm. Për këtë ka pasur mendime të ndryshme por më në fund ky mendim është pranuar.

Objekt studimi ka qenë problemi i përpjesëtimeve në një kurs të letërsisë së shek. XX. Duke u nisur nga detyrat e shkollës dhe nga qëllimi edukativ në ndërtimin e kurseve historike-letrare, kemi arritur në përfundimin që vendin kryesor edhe në letërsinë e shek. XX duhet ta zënë fenomenet pozitive, në radhë të parë, letërsia botërore e realizmit socialist. Një vend më të madh duhet të zënë edhe fenomenet përparimtare pozitive në letërsinë e sotme botërore. Kjo lidhet me përkthimin e veprave dhe me studimin e fenomeneve të reja për t’i inkuadruar sa të jetë e mundur më shumë në kursin letrar.

Ka pasur mendime të ndryshme lidhur me pasqyrimin në këtë kurs historiko-letrar të tendencave të sotme dekadente dhe revizioniste. Përsëri nuk mund të thuhet se janë të gjithë të njëmendimi, por tani, sidoqoftë, ka zotëruar pikëpamja që të studiohen këto rryma.
SHENIM ME SHKRIM DORE MBI DOKUMENT -(Duhet bërë kritika. Por nuk do të ndjekim dot çdo shkrimtar revizionist).
 
Kjo shkon krahas gjithë luftës sonë në fushën politike dhe ekonomike. Studentët lexojnë artikuj, atyre u lindin pyetje për fenomene të letërsisë së sotme borgjeze e revizioniste, prandaj edhe u jepen disa njohuri në leksione, të cilat duhen sistemuar e thelluar, natyrisht në përpjesëtime më të pakta se fenomenet pozitive apo që priren më shumë nga tendenca përparimtare.

Frika se mos çorientohen dhe shthuren studentët me leksione të tilla nuk na duket e drejtë dhe praktika po tregon të kundërtën.
4. – Një problem i rëndësishëm që ka preokupuar pedagogët dhe që ka dalë në diskutimet tona është shpjegimi i burimeve të revizionizmit në letërsi sidomos në Bashkimin Sovjetik.
 
SHENIM ME SHKRIM DORE MBI DOKUMENT - (Të studiohet).
Ky problem është rrahur pak, janë shfaqur disa pikëpamje. Në artikujt tanë pothuajse nuk është trajtuar fare.
Ne mendojmë se shpjegimi që ka dhënë shoku Enver për të kuptuar burimin e revizionizmit në politikë e ideologji, zbulimi i shkaqeve që lidhen me qëndrimin burokratik të kuadrit, me shkëputjen nga jeta, vlejnë si orientim edhe për të gjetur burimet e revizionizmit në art.

Në diskutimet tona ka pasur paqartësi dhe lëkundje lidhur me këtë çështje. Në diskutimet tona ka pasur edhe ndonjë pikëpamje që i trash gabimet në letërsi gjatë kohës kur ishte gjallë Stalini. Kjo është kritikuar. Ne mendojmë se në ato vite, përgjithësisht, është ruajtur fryma e partishmërisë, kanë dalë vepra revolucionare dhe metoda e realizmit socialist ka qenë metoda sunduese e krijimit. Shfaqjet negative që janë kritikuar (në fjalimet e Zhdanovit, në kritikën e kriterit të sinqeritetit, si kriterit kryesor në një vepër arti etj.), dëshmojnë për disa premisa revizioniste që u zhvilluan dhe u bënë zotëruese më vonë. Mendojmë se do të ishte e drejtë të pohonim që kritika në atë kohë nuk ishte në të gjitha rastet këmbëngulëse dhe konsekuente dhe nuk u shtri edhe në fenomene të tjera që mbartnin në vetvete farat e revizionizmit apo të dekadentizmit, të ideologjisë borgjeze.

Ky problem del jashtë kuadrit të programit shkollor, por sqarimi i tij ndihmon edhe shkollën.
Është diskutuar gjithashtu edhe problemi se, krahas veprave të mira në periudhën para vdekjes së Stalinit, ka pasur edhe vepra pa konflikt, ku sheshoheshin kontradiktat, si vepra të Babajevskit, Sofronovit etj. Kjo flet për shfaqje të burokratizmit në art, për shkëputje nga jeta dhe nga gjendja reale.

Po të hidhemi më tutje historikisht do të shohim se në vitet 20, në Bashkimin Sovjetik ka pasur luftë të ashpër rrymash letrare, tendenca dekadente, futuriste, simboliste etj., si edhe qëndrime ekstreme të majta, të gjitha këto të kritikuara nga Lenini. Pati ndonjë mendim se që këtu duhet ta shohim burimin e revizionizmit, po ky nuk u quajt i drejtë sepse këto ishin vazhdim i korrenteve të mëparshme  borgjeze apo shprehje të ndikimit të huaj dhe s’mund të merren si fillime të revizionizmit.
5. – Vështirësi paraqet edhe trajtimi i disa autorëve të njohur revizionistë, të cilët dikur, si rezultat i frymës revolucionare, i tendencës kryesore që zotëronte, patën shkruar edhe vepra pozitive, p.sh. Tvardovski, Simonovi, Shollohovi, Fedini etj.

Lidhur me veprën e tyre në periudhën kur qe gjallë Stalini, me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj saj, janë shfaqur dy pikëpamje.
a) Disa mendojnë se pothuajse të gjitha veprat e këtyre shkrimtarëve, edhe në periudhën e mëparshme janë të dëmshme, se që atëherë ka nisur të ngrejë krye revizionizmi apo është shfaqur hapur. Kështu ata mbajnë qëndrim të prerë edhe ndaj vëllimit të parë të “Tokave të çara” të cilën e hedhin poshtë, edhe “Donin e qetë” e quajnë si vepër me të cilën fillon plotësisht revizionizmi në krijimtarinë e Shollohovit.

Dihet se Stalini e quajti “Donin e qetë”, “vepër monumentale” por me gabime trashanike. Është e nevojshme të përcaktohet qëndrimi ndaj këtyre fjalëve të Stalinit, me që janë të njohura dhe studentët duan të dinë mendimin tonë.
b) Ca të tjerë, në diskutimin që u bë për këto probleme, kanë thënë se kjo gjë nuk duhet parë kaq thjeshtë. Nga të gjithë pranohet se autorët e sotëm sovjetikë revizionistë nuk ka sepse të studiohen gjerësisht, qoftë edhe për veprat e tyre pozitive, sepse çështja duhet parë në prizmin politik dhe duhet nisur nga qëndrimi dhe nga veprat aktuale të këtyre autorëve. Por një konceptim i qartë i periudhave të ndryshme të krijimtarisë së tyre, të cilat mund të jepen në formë panoramike, ishte i nevojshëm. Ky do të ndihmojë për një shpjegim të drejtë dhe bindës të rrymave dhe tendencave.

Sipas kësaj pikëpamjeje, të pashprehur dhe të paformuluar ende mirë, sepse pak janë rrahur mendimet për këtë çështje, vepra si vëllimi i parë i “Tokave të çara” nuk mund të quhen negative. Për sa i takon “Donit të qetë”, kjo vepër duhet parë në sfondin e luftës së korrenteve në atë kohë, historikisht, në kohën kur realizmi socialist luftonte kundër qëndrimeve antihistorike në letërsi dhe për vënien në qendër të heroit pozitiv. Në një epope si “Doni i qetë”, fati i popullit nuk mund të përfaqësohej kryesisht përmes figurash të lëkundshme dhe reaksionare. Nuk është e rastit që figurat e komunistëve në këtë roman kanë dalë të zbehta. Simpatia e autorit për Grigor Melehovin është evidente dhe kjo s’ka si të pajtohet me realizmin socialist. Në kohën e vet kjo vepër zgjoi shumë diskutime dhe pati mjaft që nuk e pranonin dhe e quanin të dëmshme. Pavarësisht nga vlerat artistike dhe nga tablotë realiste kjo vepër tregon për ekzistencën e pikëpamjeve të humanizmit abstrakt, të qëndrimeve të lëkundshme ndaj pozitës bjellogardiste të një përfaqësuesi të fshatarësisë së mesme.

Nuk dimë ç’qëndrim do të ishte më i drejtë ndaj vlerësimit që Stalini i ka bërë kësaj vepre.
Për sa i takon veprave të mëparshme si “Vasil Tjorkini” të Tvardovskit mendojmë se kalimthi ata duhen çmuar, në sfondin e periudhës së atëhershme revolucionare, duke bërë krahasimin me veprat e tanishme, me degjenerimin e sotëm, ku i futi shkrimtarët klika revizioniste pa përjashtuar predispozitën dhe përgjegjësinë shoqërore të secilit autor.

Është e nevojshme të sqarohet gjithashtu qëndrimi që duhet mbajtur ndaj krijimtarisë së periudhës revolucionare në letërsinë sovjetike të autorëve si Simonovi, Fedini etj. Por kjo gjë mund të shtrohet edhe për autorë si Aragoni etj., të cilët në fillim patën shkruar edhe vepra pozitive. Natyrisht ne mund të mbanim ndaj veprave të asaj kohe qëndrimin tonë, që do të përcaktohej nga një studim më i drejtë marksist-leninist, sipas mësimeve të partisë sonë. Këtu është puna se sa do të qe e udhës të merreshim me këta autorë, qoftë edhe në formë panoramike.
 
SHENIM ME SHKRIM DORE MBI DOKUMENT -( Si kuptohet kjo? Panoramike për krijimtarinë e një autori? Apo panoramike për një “periudhë” apo “rrymë” letrare?)

gjuha

gjuha

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?