Periferi

Identikiti i agresorit

30 Maj 2019, 09:08| Përditesimi: 30 Maj 2019, 09:10

  • Share

Jetojmë në kohë interesante. Jetojmë në liri, por jo të lirë të themi përherë atë që ndiejmë e mendojmë. Ose më mirë, sapo e themi si ndjejmë apo si mendojmë, sidomos në rrjetet sociale, nga radha e miqve që asnjëherë nuk janë parë dalin ata, ato.

Nëse ti gëzohesh se pe një shfaqje të bukur, se fotografove një lule në Tiranë, se të pëlqejnë fjalët e mira që Europa thotë, e sigurtë, në shteg do të dalë: Ai ose Ajo: Ah ti që mbështet krimin, drogën, korrupsionin, prostitucionin!

Reagimi i parë, mbetesh pa fjalë. E lexon si emër. Nuk e njeh. Sheh se i ke dhënë “sinqerisht” miqësinë vite më parë, dhe kërkon të kuptosh se kush është. Ka një emër në dukje të vërtetë, por nuk ka as jetë private, as gëzime, as hidhërime, as kauza. Asgjë. Të vetmet gjëra që poston janë fjalimet e Lulit, statuset e Berishës, fjalimet e Lulit, statuset e Berishës e pastaj protestat. Njëra nga këto, që fliste për fëmijë që po vdesin, urinë në vend, krimin, kishte pikërisht këto statuse: Berisha. Luli, Luli, Berisha e pastaj Monika, kohët e fundit. Asnjë ndjenjë për varfërinë, për natyrën, për qytetin, për të afërmit, për shoqërinë. Vetëm postime e ripostime për Partinë. E megjithatë, në momentin e duhur, krimineli, i pashpirti, shërbëtor i qeverisë së krimit je Ti dhe jo ajo/ai.

Jetojmë në një kohë kur shumë bëjnë moral vetëm se favor të madh në jetën e tyre kanë fatin se në Shqipëri Shteti lëngon e nuk ka ende një Drejtësi. Jetojmë në një kohë kur njerëz që duhet të ishin vënë para drejtësisë sepse me prova, me filmime dhe me fakte të pakundërshtueshme kanë grabitur dhe vrarë me të vërtetë shqiptarë dhe sot kërkojnë të vrasin përditë dikë që guxon të punojë, jetojë e të pretendojë më në fund një vend, një shtet, një Shqipëri sin ë Evropë.

Jetojmë në një kohë kur njeriu i punës duhet të heshtë, sepse po të gëzohet për frytet e punë së tij, do ta quajnë shërbëtor të Qeverisë, sikur Qeveria sot të udhëhiqej nga ata që vërtetë vranë njerëz të pafajshëm, bënë një Gërdec të tërë; që tallavanë e korrupsionin e kishin bërë flamurin e moralit ditor. Iku ajo kohë. E dashur, i dashur agresiv, iku përgjithmonë. Sa më afër t’i shkojmë Europës, rregullave të vërteta të demokracisë, aq më e largët do të jetë ajo kohë. E ty do të të mbetet vetëm një gjë: Të shash, të sulmosh e të ofendosh.

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?