Marjo Sinani dhe zyra e noterisë

I vuri flakën zyrës së noterit të arrestuar për tjetërsim pronash, lihet në burg autori: Nuk e njoh personin që më pagoi për të djegur zyrën

10 Qershor 2022, 11:48| Përditesimi: 10 Qershor 2022, 14:59

  • Share

Gjykata e Sarandës ka vendosur ‘arrest me burg’ për Marjo Sinanin, 41-vjeçarin që i vuri zjarrin zyrës së noterit Aleko Anagnosti, i vënë në pranga për tjetërsim pronash. Në seancën gjyqësore të drejtuar nga Fatmir Ndreu, 41-vjeçari pranoi se ishte autori i zjarrvënies ndërsa tha se nuk e njeh personin që e pagoi për t’i vënë flakën dokumenteve.

“Më ka vendosur një person për të vënë zjarrin, por nuk e njoh atë”, mësohet të jetë shprehur Sinani. Prokurori Ilir Hoxha kërkoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, e cila u la në fuqi nga gjyqtari Fatmir Ndreu. Një ditë më parë, Sinani pranoi se një person e ka paguar për t'i vënë zjarrin zyrës së noterit Aleko Anagnosti dhe policia nisi punën për kapjen e tij. 

Djegia e zyrës noteriale erdhi 5 ditë pas arrestimit të Anagnostit, i cili është në arrest me burg për 45 ditë derisa prokuroria të çojë prova të tjera në gjykatë për tjetërsimin e pronave në Sarandë. Pasi dokumentet u dogjën, Prokuroria mori vendimin që ta vinte në sekuestro zyrën e Anagnostit, ku policia u urdhërua që të ekzekutojë vendimin.

Në skemën e tjetërsimit të pronave janë të përfshirë edhe zyrtarë e biznesmenë të tjerë. Një sipërfaqe prej 10 230 m2 tokë shtetërore në bregdetin e Sarandës përmes një skeme falsifikimi "gatuar" në zyrat e shtetit iu dha dy biznesmenëve të cilët e shndërruan në truall për ndërtimin e një hoteli. Prokuroria e Sarandës përgjatë dy viteve hetime arriti të zbulojë se në këtë skemë të tjetërsimit të pronës publike janë përfshirë 10 persona, si zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë.

Në krye të listës ishte ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. Urdhri i arrestit ndaj tij u lëshua nga prokuroria. Po kështu në kërkim janë shpallur dy vëllezër, pronarë të një hoteli në Sarandë dhe që do të ndërtonin një të dytë në tokën shtetërore që përfituan përmes dokumenteve false. Vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. 

Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës. Por përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar te persona të tretë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?