Kuvendi i Shqipërisë

I vetmi lexim politik i ligjit të Magjistraturës

9 Korrik 2018, 22:49| Përditesimi: 9 Korrik 2018, 23:05

  • Share

Nevoja për të votuar një ligj për Shkollën e Magjistraturës me 84 vota, ka të bëjë me faktin se këtë vit, Shkolla e Magjistraturës mund të ngelet pa studentë magjistratë, nëse nuk bëhet ky ndryshim. Është një nevojë që vjen nga lëmshet ligjore të krijuara në përpjekje për të rakorduar mes ligjeve të reformës në drejtësi dhe atyre ekzistuese.

Nuk është ndonjë ligj që ka prapavijë politike, dhe as ka të bëjë me ndonjë përpjekje për pushtet. Për këtë, disa faktorë ndërkombëtarë i kanë propozuar shumicës negociata me deputetë të opozitës, për të arritur një shumicë. Mes tyre, më të favorshëm janë ata të LSI, të cilët janë dhe votues të këtij ligji më parë në Kuvend.

Por, në vend të një marrëveshje formale jo politike dhe pa debat, PD po e politizon në skajshmëri problemin, për të kompleksuar deputetët që mund të votojnë. Dhe duket së me të kompleksuar duken njerëzit e LSI. Petrit Vasili deklaron se s’ka negociata per këtë çështje, a thua se po diskutohet për ndonjë qeveri të re.

Përpjekja për të kompleksuar LSI dhe deputetët e tjerë që mund ta votonin atë, është në fakt i vetmi qëllim politik në këtë histori, që tregon se PD, do që ngërçi të dominojë mbi reformën në drejtësi. Mos hapja e Shkollës së Magjistraturës këtë vit, natyrisht që do të jetë një goditje për përgatitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve rezervë që mund të zëvendosojnë ata që preken nga Vettingu.

Dhe pikërisht këtu, PD zbulon interesin real që ka për ta futur reformën në kurthet që dalin rrugës. Këtu po ashtu, ajo zbulon dhe mënyrën se si e shikon tani e tutje Shkollën e Magjistraturës, si çerdhe të pushtetit, apo dëshirën që ka të mos furnizohet sistemi me njerëz të rinj.

Përpjekja për të kompleksuar ata që mund të votojnë një ligj të zakonshëm pa ngjyrë politike, dhe akoma më keq, përpjekja për ta parë këtë si një rast që i jepet për hakmarrje ndaj reformës, është i vetmi lexim politik i ligjit të Shkollës së Magjistraturës. Si një rast, për t’u hakmarrë për reformën, si diçka që nuk e votuan dot kurrë me zemër.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?