Pino Cacozza

I them botës jam arbëresh

19 Shkurt 2022, 08:36| Përditesimi: 19 Shkurt 2022, 08:43

  • Share

Me rastin e një përvjetorit të humbjes së Profesorit, poetit, shkrimtarit, këngëtarit, aktivistit arbëresh, autori i 11 veprave letrare,  krijuesi i sitit parë on line “Arbitalia”, Giuseppe\Zef\ Pino\Cacozza, del në qarkullim libri “I them Botës Jam Arbërsh”.

I nisa kërkimet e mia mbi biografinë  dhe artin e tij  menjëherë pas periudhës së humbjes së tij,i diagnostikuar me polmonite idiopatica, më 20 shkurt 2021.

Vdekja e Pinos preku jo vetëm shpirtrat e arbëreshëve, por edhe të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Gjatë gjithë jetës së tij Ai punoi për miqësinë, bashkëpunimin e popujve arbëror të shpërndarë nëpër kontinente, dhe mbajtjes gjallë të  gjuhës,kulturës arbërore, për të cilën Pino thoshte: “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” (Kemi një kulturë që nuk mund të vdesë!)

“Nevoja e përkatësisë - thotë Pino - nuk duhet të lexohet në mënyrë sipërfaqësore si një fenomen regresiv i kthyer me një vështrim nostalgjik drejt një etnie të shkuar që lëngon, dhe dalëngadalë po shuhet, por si një domosdoshmëri e madhe për të kërkuar diçka më të thellë dhe më autentike të atyre rrënjëve, ngulitur rreth 600 vjet në një atdhe të dytë.

Në artin e Pinos :E bukura More, Duro zëmër duro, Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes, Ku vate moti, Mora mandollinen Mandulli, Valle valle, Këndomi bashkë, Jurendina na martohet, Petkat e të mirat tona, Kjo është festa më e madhe çë ka Arbëria, Ajde moj, Ish një vashes nd’atë lloxhet, E bukura vashës, Jemi gjaku i një zemre, U vinj e të kërkonj, zëmi vallen, Rrini mirë se jem’e vemi. Në tekstet e tij dhimbjet  përshkojnë valët e detit, notojnë drejt gadishullit Italik, ngulen në vendbanimet, mbajnë emrin arbëresh,  dhe rrëshqasin perla këmbënguljeje identiteti, lotë malli, për atë More e largët, atë copë toke, ku si një thesar ruajnë rrënjët e tyre.

Në veprën e Pinos nuk gjejmë “aventurën e kujtesës”, por rrëfimin “distancë-kohë” të zhytura në histori, në etnografi, në rapsodi, në rite dhe në gjuhë.

Shumë e goditur frazëa e tij: “Arbëreshi mund të jetë qytetar i botës, mund të jetë dhe bir i udhëtimeve, por arbërori nuk duhet të shëndërrohet më bir i emigrimit.” 

Në vitin 2012, me rastin e Vitit të Ri, Pino për Arbitalia shkruan: Ata që përpiqen të ndalojnë Arbërinë e projektuar në të ardhmen janë gjithmonë të njëjtët: politikanët, egoistët, karrieristët, të eturit për pushtet dhe pasuri, vrasësit e ëndrrave dhe ata që u afrohen për interesa, për kotësi, për biznes të errët. Dashuria nuk luan me para, dashuria ime është, Arbëria.

Fjala e tij kryesore ishte: Koha, të cilën e konsideronte si faktorin kryesor për një “ringjallje të vërtetë”, një “Arbëri të Re”, me gjuhën, traditat dhe ritualet e saj.

Notat muzikore në vargjet e tij shndërrohen në një ngjyrë dëbore në diell, ngjyhen në blu, gri, të kuqërremtë të qiellit, trokasin në zemër si rozario fildishi, e fjasin në gjuhën e mëmës.

Arbëreshët janë modeli më i mirë i integrimit- thotë Pino- Arbëreshi nuk i mbyll kurrë dyert. I kemi mbajtur gjithmonë hapur, sepse vet ne jemi një etni e emigruar. Të gjitha kulturat janë të bukura. Mua më pëlqen kultura italiane, se jam Arbëresh. Por jemi edhe gjak i fortë dhe këtë e tregon se jemi 600 vjet që rrojmë, durojmë, rezistojmë. Arbëreshi është resilient. Ne arbëreshët jemi për integrim, por jo për homologim.

Kur bijëvet “i pritet dhe i këputet gjuha, atje dega u tha dhe lisi zë e kalbet”-thoshte Pino- Problemi s’është mësimi i gjuhës arbëreshe, po është se ndë shpi e mbrënda te familjet tona s’foljen më arbrisht. E jëma, arbëreshe, dhe i jati, arbëresh, te shpia tire s’foljen më arbrisht, e nëng trazmitirjen më nè mësimet e tire, nè mësimet e atravet e tire. S’foljen më shqip, sepse te zëmra tire dhe te shpirti i tire u tha dhe u kalb rrënja. Dhe kështu Arbëria s’bën më lule në pranverë si më përpara, e s’këndon më .

Cikli: “Udhëtimet e Arbërisë”, “Rrënjat e Arbërisë”, “Dheu mbrënda”, recitalet muziko-teatrale “De Rada dhe Milosao” janë interpretime, që të përcjellin në epokë kur arbëria lulëzonte.

Në “Omazh për De Radën” Pino do të shkruante:

“Ku vajte Milosao që katundin më nuk çon.

Dheun më nuk njeh Dhe Arbëria vajton”

Pino Cacozza nderohet me shumë çmime:

Çmimin Mesdhetar për Art dhe Kreativitet 2009.

Presidenti Nishani dekoron zotin Giuseppe Cacozza me titullin “Naim Frashëri”,

Çmimi Cassiodoro, 3 shtator 2017.

I dashur Pino, kujtimet në gjoks mbledhim, për kohën që ti na rrëfeve për këtë arbëri, kjo burbuqe e egër, që nuk kërkon të asimilohet, por që po lëngon, me me shpirtin e sakrificës  t-iu resitojë shekujve me  me gjuhën e saj, ritin e saj.

Ne jemi 500 vjet storia e kallo nder duar, -

Jemi shpia e bënë me djers-

 E tue kënduar na jemi buka te tryeza, lulja te muri..

 Jemi dielli nde vere, nde dimer jemi bora

Pino iku i heshtur, me flatra të arta, nën notat e një “Nabuko” të një Arbërie, që ai i këndoi me aq shumë dhimbje por aq edhe me aq dashuri.

Komento

Komente

  • Anna: 19/02/2022 10:58

    Ja shqiptaria e vërtetë.Për të tillë figures Ka nevojë kombi shqiptar

    Përgjigju
  • Emigranti: 19/02/2022 10:34

    Bravo u qofte atyre qe per 600 vjet ruajten traditat, fene, kulturen dhe gjuhen dhe qe vazhdojne te jene krenare per origjinen e tyre.

    Përgjigju
  • Vladimir: 19/02/2022 08:58

    Faleminderit Ornela, qe na e risolle ne pervjetorin e ikjes kete Arberesh te Madh!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?