I shokuar dhe shpërthen në lot, kur ‘Pa Gjurmë’ i jep lajmin për shokun e ushtrisë

18 Mars 2021, 17:27| Përditesimi: 19 Mars 2021, 08:38

  • Share

Kol Marku emri i të cilit u lakua gjatë në studio në emër të një miqësie, që i rezistoi kohës nuk jeton më. Ai ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare, ndërsa la pas gruan shtatzënë. Për Pavlin Ujkashin, në një lidhje me skype nga Londra, ky ishte një lajm i papritur, pasi ai shpresonte ta takonte djalin nga Shllaku i Shkodrës. 34 vite ata humbën kontaktet, ditën që u liruan nga ushtria. Ndarja nga jeta, në kulmin e moshës e pikëlloi 54-vjeçarin, i cili nuk i përmbajti dot lotët.

Jeta i ka këto, janë rrethanat. Më dhimbset shumë, se e kam konsideruar si një vëlla. Shpresova ta takoja pas 34 vitesh ditën kur u ndamë, pasi u liruam nga ushtria. 

Emocionohet edhe më shumë, ky 54-vjeçar kur ’Pa Gjurmë’ i shfaq për herë të parë fotot me imazhin e shokut, siç ai e mbante mend. Stafi i programit e lidhi Pavlinin me familjen e të ndjerit Kol Marku, djali i të cilit tashmë është një 26 vjeçar. Ai erdhi në jetë, pasi babai mbylli sytë përgjithmonë.  

Jeta është kjo, pavarësisht se nuk doja ta dëgjoja këtë lajm. I uroj shëndet familjes dhe i përcjell ngushëllimet. Më vjen keq, por shyqyr që ka lënë djalin. Pas një të keqe të paktën e ka lënë një trashëgimtar.

Nuk mundi dot ta falenderojë ballazi, por publikisht ia përcolli mesazhin. Kol Marku i shpëtoi jetën Pavlinit ndaj, për këtë arsye, ai kërkoi t’ia kthej nderin. Historia e dy shkodranëve, në emër të mirënjohjes, emocionoi jo pak publikun. Pavlin Ujkashi nga Malësia e Madhe rrëfeu si u njoh me Kol Mark Markun nga Shllaku i Shkodrës, në vitin 1987, ndërsa kryenin shërbimin ushtarak në Soplik të Gjirokastrës. Nga një ngjarje që ndodhi në kapanonin e ushtrisë lindi një miqësi e ngushtë mes dy të rinjve, 18-vjeçarë në atë kohë. Pas një debati të çastit, për arsye banale Pavlini konfliktohet më dy ushtarë të tjerë nga Fieri, debat i cili do të degjeneronte deri në përdorimin e armëve të shërbimit. Ishte Kola ai që i doli para kësaj situate duke i shpëtuar jetën shokut të tij. Pavlini nuk e shuajti kurrë nga kujtesa atë ngjarje, ndaj në një lidhje skype nga Anglia, ku ndodhet që prej vitit 1999 kërkoi të rilidhte kontaktet e humbura me personin që i ishte gjendur pranë këtë moment të vështirë të jetës. Pavarësisht se nuk e gjeti gjallë ai I është mirënjohës, deri në fund të jetës. 

 

 

O.D.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?