U arrestua pas atentatit ndaj Gentian Bejtjas, gjykata e Tiranës liron nga qelia ‘të fortin’ e Niklës, Valter Bamin

18 Janar, 09:37| Përditesimi: 18 Janar, 11:37

  • Share

Tiranë- Valter Bami i konsideruar si i ‘forti’ i Niklës është liruar nga qelia e burgut.  Report Tv mëson se Gjykata e Tiranës ka ndryshuar dje (17 janar 2024 ) masën e sigurisë ndaj Bamit, nga arrest në burg në arrest shtëpie.Valter Bami u arrestua pak ditë pas atentatit të 4 korrikut 2023 në Larushkë të Krujës, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes, 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati i tij Ramazan Sino.

Shuarja e masës ka ardhur pasi ka përfunduar afati 6 mujor i hetimeve nën masën arrest me burg, informon gazetarja Keti Banushi. Duke qenë se ai akuzohet vetëm armëmbajtje pa leje, dhe nuk u provuan dot dyshimet për implikim në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, u la i lirë nga gjykata.

Valter Bami, u arrestua me 6 korrik 2023 për armëmbajtje pa leje dhe si i dyshuar për atentatin ndaj Bejtjas pasi sipas prokurorisë në dorën e majtë të tij, i ishte gjetur një grimcë baruti.

Sa i takon armës, në gjykatë ai pretendoi se ishte armë sportive të cilën e kishte marrë me leje dhe se e mbante që prej datës 20 tetor 2020, të lëshuar nga Sistemi i Informatizuar i Menaxhimit të Armëve në Komisariatin e Policisë së Krujës. Pas shoqërimit në policinë e Krujës herën e parë, por edhe pasi u ndalua për shkak të ekspertizës së barutit, Bami mohoi akuzën duke pretenduar se nuk kishte lidhje me atentatin, ku u shkrehën rreth 30 plumba kallashnikovi në oborrin e shtëpisë së Gentian Bejtjas. Ai pretendoi se në atë orë ndodhej në shtëpi bashkë me familjarët.

Atentati ndodhi pak pas mesnatës së të martës, 4 korrik 2023 kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke e lënë dajën e të miturve të vdekur në vend, ndërsa dy fëmijët e Gentian Bejtjas u plagosën. Autorët dogjën automjetin bashkë me 3 kallashët në afërsi të Tapizës, duke humbur çdo gjurmë. Për shkak të plagosjes së dy fëmijëve, dhe veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me ta, dosja penale i ka kaluar seksionit për të miturit në prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë në kërkim vazhdon që të jetë  Gentian Bejtja.

Kush është Gentian Bejtja
Gentian Bejtja i ka shpëtuar edhe më parë atentatit, ku në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Ai i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë ku edhe në atë kohë u dëmtua. Gentjan Bejtja, ish punonjës policie, rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Ai është hetua edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013. Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lezhjani: 18/01/2024 09:48

    Gentjan Bejtja ka perfunduar si Ervis Martinaj, por asnje nuk fol per kte gje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?