I humbur prej dy vitesh, gjendet në burgun e sigurisë së lartë në Turqi Roland Zeka

20 Korrik 2020, 18:23| Përditesimi: 20 Korrik 2020, 20:56

  • Share

U kërkua në emisionin ’Pa Gjurmë’ si i zhdukur në Turqi në 2018, gjendet shqiptari i Kosovës Roland Zeka. Mësohet se 27-vjecari, kishte përfunduar në një burg të Sigurisë së Lartë, në provincën Kilis, kufi me Sirinë, arsye kjo që humbi kontaktet me familjen 2 vite me radhë.

Rolandi është kthyer nga autoritetet më 9 korrik të këtij viti dhe aktualisht ndodhet në Kosovë, ndërsa ende nuk dihet akuza që rëndon mbi të, pasi nuk ka mundur të takohet me familjarët.

Detajet i përcolli në ‘Pa Gjurmë’ nëna e tij Xixëllonja, e cila në një lidhje telefonike sqaroi më tej se djali i tyre është kthyer në Kosovë, duke pritur të përballet me një tjetër gjyq para togave të zeza atje, por për 14 ditë pasi t’i nënshtrohet karantinimit, për shkak të pandemisë. Ajo thotë se të birin ka mundur ta shohi në distancë, në aeroportin e Prishtinës, ku ai mbërriti pak ditë më parë, i shoqëruar nga forcat policore.

Ka mbërritur në Kosovë më dt 9 korrik. Ka qenë në burg dhe atje ka kryer dënimin prej dy vitesh. Ende nuk dimë çfarë ka ndodhur me të dhe për çfarë është dënuar, pasi ne ende nuk e kemi takuar. Kur zbriti nga aeroporti, ne e pamë nga larg, pasi nuk u lejuam të afroheshim. Ai ishte i rrethuar nga forcat e policisë. Për momentin do të karantinohet dhe më pas do të ketë edhe një seancë gjyqësore për të. Ai do të qëndrojë 2 javë i izoluar, për shkak të situatës nga koronavirusi. Nuk e di për çfarë ka bërë burg’, deklaroi nëna e Rolandit

Roland Zeka u largua nga shtëpia pak kohë, pasi zbuloi detaje nga dosja e vrasjes së të atit 19 vite më parë, kur dy persona me maska ia vranë dhe masakruan babanë. I riu kaloi në depresion dhe zgjodhi të largohej. Ai telefonoi pak kohë më pas, duke pohuar se ndodhej në Turqi, telefonata që vazhduan deri në fund të gushtit 2018, kur në komunikimin e fundit i tha familjes se ishte marrë peng dhe se duhej t'i dërgonin 50 mijë Dollarë. Pasi u zhduk, policia mësoi se Roland Zeka kishte tërhequr për herë të fundit një shumë parash në një bankomat, në provincën Kilis, një qytet i vogël në kufi me Sirinë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?