I dyshuari për vrasjen e 24-vjeçares në Australi arrestohet pas 4 vitesh në Indi

25 Nëntor 2022, 12:01| Përditesimi: 25 Nëntor 2022, 11:58

  • Share

I dyshuari kryesor për vrasjen e një gruaje në një plazh australian katër vite më parë, u arrestua në periferi të Nju Delhit tre javë pasi për të u ofrua një shpërblim prej 1 milion dollarësh australianë (677 mijë dollarë amerikanë), njoftuan autoritetet.

Shtetasi indian Rajwinder Singh, 38 vjeç, fluturoi nga Sidnei për në atdheun e tij një ditë pasi trupi i 24-vjeçares australiane Toyah Cordingley u gjet në brigjet e shtetit Queensland më 22 tetor 2018, raportojnë mediat e huaja.

Prokurori i Përgjithshëm Mark Dreyfus tha se Singh është arrestuar sot pas kërkesës për ekstradim që Australia i bëri Indisë.

"Kjo çështje është një prioritet i lartë për qeverinë australiane, ndërsa agjencitë australiane vazhdojnë të punojnë ngushtë me autoritetet indiane për të ndjekur ekstradimin e zotit Singh në Australi, për t'u përballur me drejtësinë", tha Dreyfus.

Qeveria e Queensland më 3 nëntor ofroi shpërblimin më të madh në historinë e shtetit për informacion rreth Singh.

Policia indiane arrestoi Singh në të njëjtën ditë kur mori informacione për vendndodhjen, thuhet në deklaratën e Policisë Federale Australiane.

Policia e Nju Delhit në deklaratën e saj bëri të ditur se arrestimi u bë duke u bazuar në shkëmbimin e informacioneve me organizatën ndërkombëtare të policisë me qendër në Francë, Interpol, si dhe policinë australiane.

Singh ishte punësuar si infermier në Innisfail, në jug të qytetit të madh Cairns, kur Cordingley u vra në plazhin Wangetti, në veri të Cairns më 21 tetor 2018. Ajo kishte shkuar në plazh për të shëtitur qenin e saj.

Australia dhe India kanë një traktat dypalësh ekstradimi në fuqi që nga viti 2010, por proçesi i ekstradimit mund të jetë i ngadaltë.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?