Petraq Dhimitri

I dënuar për korrupsion, gjyqtari Petraq Dhimitri kundërshton përjashtimin për 15 vite nga drejtësia, vë në lëvizje Kolegjin e Apelimit

7 Tetor 2020, 15:44| Përditesimi: 7 Tetor 2020, 15:51

  • Share

Ish-gjyqtari i Apelit në Durrës, Petraq Dhimitri, i dënuar nga Gjykata Speciale për korrupsion, kundërshton vendimin e Komisionit të Vetingut, i cili e ka përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procesin e verifikimit për Dhimitrin në nëntor të vitit 2019. Gjyqtari dha dorëheqjen nga drejtësia në janar të vitit 2020. Në korrik të 2020, KPK vendosi të ndërpresë Vetingun për Petraq Dhimitrit, duke i përjashtuar në të njëjtën kohë për 15 vite nga drejtësia. Në shator 2020, Dhimitri vuri në lëvizje Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar rrëzimin e pikës dy të vendimit të KPK, për përjashtimin e tij nga gjyqësori.

KPA ka caktuar një trupë gjykuese me në krye Natasha Mulaj, relatore Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo për shqyrtimin e kërkesës së Dhimitrit. Disa ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi Petraq Dhimitrin me tre vite burg për korrupsion, por ish-gjyqtari përfitoi ulje me 1/3 e dënimit pasi kishte kërkuar gjykim të shkurtuar. Bashkë me Dhimitrin u dënuan edhe gjyqtarët Petrit Çeno dhe Klinton Spahiu. Prokuroria provoi se biznesmeni durrsak Namik Sadiku kishte sponsorizuar udhëtime jashtë vendit për tre gjyqtarët, ku Sadiku ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej nga ata.

Ndër provat e paraqitura ishin udhëtimet e gjyqtarëve në të njëjtën kohë me biznesmenin në Itali dhe Spanjë, si dhe biletat që ishin prerë në të njëjtat kompani udhëtimesh si dhe akomodimin. Nga provat rezultoi se gjyqtaret kishin udhëtuar me biznesmenin dhe për të ndjekur ndeshjen mes Real Madrit dhe Barcelonës në tetor 2014. Për korrupsion u dënua edhe biznesmeni Sadiku. Ndërkaq, përjashtimin nga drejtësia e kundërshtojnë edhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen.

Kërkesa e ish-gjyqtarit të Apelit në Durrës Petraq Dhimitri për të rrëzuar përjashtimin nga drejtësia 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?