Foto ilustruese

I dënuar me dy vite burg për shkelje të barazisë në tender, ndalohet ish-shefi i Financës së Burgut të Kosovës në Lushnjë

5 Tetor 2023, 17:09| Përditesimi: 5 Tetor 2023, 17:36

  • Share

Ish-shefi i Financës së Burgut të Kosovës në Lushnjë Mariglen Myftari i dënuar nga GJKKO me 2 vite burg për shkelje të barazisë në tendera, gjatë kohës që ushtronte detyrën është ndaluar nga policia.

Myftari është dënuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.

"Në vijim të veprimeve operacionale, të kryera në vijim të operacionit policor të koduar "Takimi i fundit", nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë ekzekutimi i vendimit të GjKKO-së, për ndalimin e shtetasit Mariglen Myftari, 33 vjeç, banues në Lushnjë. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për veprat penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike" dhe "Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike". Ky shtetas, në periudhën gjatë së cilës ka qenë shef i Financës, në IEVP Kosovë, Lushnjë, me cilësinë e anëtarit të komisionit për zhvillimin e një tenderi me objekt transportin në këtë IEVP, duke kryer veprime të njëanshme, ka shkelur barazinë e pjesëmarrësve në këtë tender", njofton policia.

Më parë është ndaluar edhe ish-drejtori burgut të Kosovës, të dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për të njëjtën veprimtari kriminale në dëm të pjesëmarrësve në këtë tender. Në dhjetor të 2021, SPAK dërgoi për gjykim dosjen, pasi nga hetimi ka rezultuar se në procedurat e prokurimit për transportin e punonjësve, janë evidentuar shkelje ligjore. 

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?