Foto ilustruese

I dënuar me 4 vite burg për kultivim kanabisi në Krujë, arrestohet në Spanjë 34-vjeçari! Pritet ekstradimi

10 Mars, 10:51| Përditesimi: 10 Mars, 11:14

  • Share

SPANJË - Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare si bashkautor i 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike është arrestuar së fundmi nga policia spanjolle.

34-vjeçari i identifikuar si Lutfi Xeka ishte i dënuar me 4 vite burgim nga Gjykata e Krujës për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Më 10 nëntor të vitit 2022, 34-vjeçari u shpall në kërkim së bashku me babain e tij Qerim Xeka dhe vëllain e tij, Kledi Xeka.

Asokohe policia zbuloi se këta 3 persona kishin kthyer në ‘shtëpi bari’ banesën e një emigranti që ndodhej në Greqi, të cilën ata e kishin marrë përsipër ta ruanin.

Policia ka arritur të zbulojë edhe një furgon me pajisje të shumta elektrike, të cilat do të përdoreshin nga familja Xheka për të përshtatur ambientet e tjera të banesës me qëllim kultivimin e kanabisit. Banesa ndodhej në vendin e quajtur “Kodër Dushk”.

Sipas policisë, Xeka, në bashkëpunim me 11 të tjerë, kanë kultivuar qindra bimë narkotike cannabis sativa.

"Finalizohet nga Policia e Spanjës, pas sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit, operacioni policor i koduar “Four”.

I dënuar me 4 vjet burgim, si bashkautor i 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të kryera gjatë vitit 2019, vihet në pranga 34-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me partnerët spanjollë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, nga autoritetet në Shqipëri.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, ka mundësuar finalizimin në Spanjë, të operacionit policor të koduar “Four”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Lutfi Xeka, 34 vjeç.

Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim",-njofton policia,

Vijon puna për të kryer ekstradimin e 34-vjeçarit në Shqipëri.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?