Humbja e thellë më 14 maj, 9 ankimime në KQZ! Opozita kërkon rinumërim për Këshillat Bashkiakë në Tiranë, Durrës, Kamëz, Pukë e Lezhë

21 Maj 2023, 16:05| Përditesimi: 21 Maj 2023, 21:28

  • Share

Një javë pas zgjedhjeve lokale të 14 majit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur ankesat e para zyrtare. Deri më 21 maj, Komisioneri ka regjistruar 9 ankimime të palëve politike edhe për Bashkitë, ku tashmë është certifikuar rezultati zgjedhor. Një sërë partish të vogla si Lëvizja e Legalitetit, Aleanca Demokristiane, apo Uniteti Kombëtar kërkojnë rinumërim për Këshillat Bashkiakë në Tiranë, Durrës, Kamëz, Pukë e Lezhë.

Përveç ankimimeve në KQZ, kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Lefter Maliqi ka paraqitur kallëzim në SPAK me pretendimin për manipulim të rezultatit në Kuçovë.

Rezultati negativ i opozitës në zgjedhjet e 14 majit nuk është shoqëruar me një mea-culpa por menjëherë pas përfundimit të numërimit, nisën akuzat për manipulim të procesit zgjedhor.

I pari që artikuloi pretendimet për parregullsi ishte kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, i cili rezultatin më të dobët të opozitës në pluralizëm e justifikoi me atë që e quajti “tjetërsim të tmerrshëm të votës”

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Kamzën, ku u votua dhe numërua elektronikisht, Arjan Hoxha, artikuloi akuza për manipulim përmes pajisjes, ndërsa teksa zhvilloi një protestë simbolike para KQZ, kërkoi hapjen e kutive dhe ekspertim të pajisjes elektronike të votimit.

Jo vetëm në Kamëz, por edhe në Elbasan, opozita e vë fajin e rezultatit te pajisja e votimit elektronik, duke e quajtur këtë proces manipulim të votave për llogari të kandidatit fitues.

Në zgjedhjet vendore të 14 majti, opozita arriti të merrte vetëm 7 bashki, ndërsa në asnjë prej 61 në total nuk siguroi kryesimin e këshillave bashkiakë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?