Lulzim Basha

Humbja e 6-të, statuti i PD-së mbron Bashën nga dorëheqja, rruga e vetme për ta shkarkuar është mocioni i mosbesimit në Këshillin Kombëtar

9 Mars 2022, 15:24| Përditesimi: 9 Mars 2022, 15:28

  • Share

Lulzim Basha po kalon ditët më të vështira politike që kur u zgjodh në krye të Partisë Demokratike në korrik të vitit 2013, sigurisht me ‘bekimin’ e familjes Berisha. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën u konfirmua parti e tretë, pozicion të cilin deri më tani e kishte mbajtur Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në këto zgjedhje u shkri në lëvizjen e Berishës. Në disfatën e Bashës ka luajtur një rol vendimtar lëvizja e Berishës dhe e Metës, e projektuar pikërisht për rrëzimin e Bashës dhe sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dy ditë pas certifikimit të rezultatit, zërat brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për dorëheqjen e Lulzim Bashës, janë shtuar. Tashmë gati gjysma e deputetëve demokratë kërkojnë dorëheqjen e Bashës. Kundër Bashës janë pozicionuar edhe dy mbështetësit e tij më të zjarrtë, Grida Duma dhe Ervin Salianji. Ndërkaq, në reagimin e tij të parë pas humbjes, Lulzim Basha tha se ‘nuk kishte humbur asnjë betejë në jetën e tij’, duke konfirmuar se dorëheqja nuk është në planet e tij.

Sa i takon sanksioneve statutore në rast humbje, statuti i Partisë Demokratike, i ndryshuar vitin e kaluar, nuk njeh asnjë përgjegjësi të kryetarit të partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve lokale, aq më tepër të zgjedhjeve të pjesshme lokale. Statuti i PD-së, i ndryshuar në vitin 2021 nga Berisha dhe Basha, nuk parashikon dorëheqjen e kryetarit as kur humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Megjithatë, ka një rrugë për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar i PD, që është një mocion mosbesimi në Këshilli i Kombëtar të Partisë Demokratike. Pika ‘ç’ e nenit 43 e statutit në fuqi të PD, parashikon që Kuvendi Kombëtar mund të shkarkojë kryetarin e partisë. Por, vendimi i shkarkimit nga Kuvendi i PD-së merret vetëm nëse më shumë se sa gjysma e Këshillit Kombëtar kanë votuar pro një mocioni mosbesimi ndaj kryetarit të partisë.

Pra, grupi i ri kundërshtar i Bashës në PD duhet të sigurojë fillimisht shumicën e votave në Këshillin Kombëtar dhe më pas në Kuvendin Kombëtar, për të mundësuar shkarkimin e Bashës. Por, mbledhja e Këshillit Kombëtar kushtëzohet nga vullneti i Bashës ose i Kryesisë së PD-së. Statuti i PD-së parashikon që Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet vetëm kur e thërret Lulzim Basha, kryesia e PD-së ose nëse mbledhjen e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • adi: 10/03/2022 10:59

    ky duket qe eshte shum i kapur peng, pasi sdo kishte individ me mend ne koke ne kete planet qe sdo jepte doreheqjen ne rrethanat e ketij.

    Përgjigju
  • elton: 09/03/2022 17:10

    akoma me skandal eshte fakti sesi akoma nuk ka dale te dorehiqet ...mjerimi i ketij njeriu spaska fund

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?