Ish-kryeministri Avdulla Hoti dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Hoti kritikon Kurtin për mungesën në samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë: Ligjëratat, pretekst për të ikur nga takimi më i rëndësishëm

29 Shkurt, 15:17| Përditesimi: 29 Shkurt, 15:20

  • Share

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili aktualisht është deputet i Lidhjes Demokratike ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën e tij në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që u zhvillua ditën e sotme (29 shkurt) në Tiranë.

Në një postim të bërë në facebook, Hoti shkruan se asgjë nuk e arsyeton mospjesëmarrjen e liderëve të Kosovës në këtë samit, të cilin e konsideroi si më të rëndësishmin për Prishtinën zyrtare.

“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”- shkroi Hoti.  

Më tej ai shton se qeveria e Kosovës duhet të kishte bërë konsultime të ngushta me qeverinë e Shqipërisë para mbajtjes së këtij samiti për Planin e Rritjes Ekonomike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës. Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”- argumenton ish-kryeministri.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?