Sport

Holanda frikëson Evropën, ‘viktima’ e radhës Belgjika! Franca pa karakter, shpëton për pak në Ligën e Kombeve

26 Shtator 2022, 09:38| Përditesimi: 26 Shtator 2022, 14:55

  • Share

Një edicion për të mos u harruar. Kështu mund të përshkruhet ajo që ka bërë Holanda në Ligën e Kombeve, pasi për vendin e parë në grup ‘tulipanët’ kanë likuiduar në ndeshjen e fundit Belgjikën. Edhe pse barazimi ishte i mjaftueshëm Holanda fitoi 1-0 falë golit të realizuar nga Van Dijk në minutën e 73.

Pas 6 ndeshjesh në grup Holanda grumbulloi 16 pikë, me 5 fitore dhe 1 barazim, e ndjekur nga Belgjika me 10 pikë. Në vendin e tretë u rendit Polonia që në sfidën e fundit mposhti 0-1 Uellsin, me këtë të fundit që sezonin e ardhshëm në Ligën e Kombeve do të zbresë në Ligën C.

Ndërkohë Franca ka pësuar një tjetër humbje në grupin e saj, por fatmirësisht për ‘gjelat’ në mbyllje të grupit kanë arritur të mbijetojnë në Ligën A. ‘Gjelat’ këtë herë pësuan disfatë kundër Danimarkës me rezultatin e pastër 2-0. Golat për nordikët u realizuan nga Dolberg dhe Olsen në fundin e pjesës së parë.

Gjithsesi fituese e këtij grupi, grupit 1, u shpall Kroacia, që në ndeshjen e fundit fitoi 1-3 kundër Austrisë. Modric nisi serinë e golave, ndërsa Baumgartner barazoi përkohësisht. Më tej Livaja dhe Lovren vulosën fitoren dhe vendin e parë në grup për ballkanasit. Në vendin e dytë u renditën danezët me 1 pikë më pak, ndërsa Franca u pozicionua e treta me 5 pikë, 1 më shumë se Austria që zbriti në ligën B sezonin e ardhshëm.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?