Talat Xhaferi kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Mban fjalimin shqip: Sot bëjmë historinë! Betohet qeveria teknike

28 Janar, 07:14| Përditesimi: 28 Janar, 20:25

  • Share

Talat Xhaferi, u zgjidh kryeministër i Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro dhe 3 kundër, duke hyrë në histori si pari shqiptar që do të drejtojë qeverinë ve vendin fqinjë. Përfaqësuesit e opozitës maqedonase të VMRO DMNE, edhe pse të pranishëm në sallën e Kuvendit nuk morën pjesë në votim, pasi ishin kundër qeverisë teknike që do drejtojë Xhaferi.  

Gjatë prezantimit në Kuvend të programit të qeverisë që do drejtojë për 100 ditë deri në zgjedhjet e parakohshme, Xhaferi iu foli në gjuhën shqipe duke nënvizuar se respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, lufta kundër korrupsionit si dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike do të jenë prioritetet e tij.

“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetuese. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time.

Xhaferi e konsideroi qeverinë teknike, vazhdim të qeverisë së mëparshme, duke theksuar se do vazhdojë të njëjtat politika të ndjekura prej saj.

Kandidat për kryeministër në RMV edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njëjta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimin e vendit, do të jetë obligim i imi. Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve

Ndërkaq deputeti i VMRO DMNE Antoni Milloshovski tha se nga sot Republika e Maqedonisë së Veriut është qiraxhi në shtetin e vet. 

“Një dezertor dha dorëheqje, një tjetër po ulet në vendin e tij. Mos prisni nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë se Kovaçevski dhe të punoj në të mirë të shtetit. Sot Kovaçevski dhe Mariciç, e shitën shtetin, për interesa të tyre Maqedonia sot është qiraxhi në shtetin e vet…’- tha ai.

Kreu i BDI Ali Ahmeti e quajti një ditë ditë historike për të gjithë shqiptarët, ndërsa replikoi edhe me deputetin Milloshoski.

Nuk është e vërtetë që ju jeni qiraxhi, por është një e vërtetë që Marrëveshja e Ohrit, i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marrëveshje nuk u ndryshoi vetëm shqiptarëve gjendjen, por me këtë marrëveshje fituan të gjithë që jetojnë në Maqedoni, si turqit, romët, serbët, etj.

Ora 20:17
Xhaferi kryeministri i parë shqiptar në RMV, Kurti e uron 'ftohtë': Miqësi e bashkërendim të dy qeverive për projekte të përbashkëta

1706469724_FNA5uQkX0AICacf600x360.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka uruar suksese kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. “Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta” të jenë “shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, shkruan Kurti.

“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, shkroi ai.

“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, shkroi Kurti.

Ora 20:13
Talat Xhaferi u zgjodh kryeministri i parë shqiptar në RMV/ Vëllai i tij për mediat: E ka koeficientin e inteligjencës sa të Ajnshtajnit

1706469314_eujmrydumkfrymkfyrmk.PNG

Neshat Xhaferi, vëllai i Talat Xhaferit

Vëllai i kryeministrit shqiptar të sapo zgjedhur në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferit,  ka thënë se ky i fundit e ka koeficientin e inteligjencës sa të shkencëtarit gjerman Albert Ajnshtajn.

“Na gëzoi dhe e kam ditur që do të votohet sepse ai punët nuk i len në gjysmë, përherë me përkushtim kryen detyrat edhe kur ka pengesa të paarsyeshme nga partitë ose deputetët tjerë, ai gjen përherë një rrugë më të drejtë dhe më reale për bashkëjetesën e popullit në Maqedoni”,- tha Neshat Xhaferi, pasi Talat Xhaferi u zgjidh në krye të qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut.

Ndër të tjera ai është shprehur se vëllai i tij është i kalitur dhe se ka eksperiencë të madhe për ta drejtuar vendin.

“Po të vijë edhe pas orës 00:00, së pari shkon lexon drejtësi dhe aq e ka koeficientin sa Ajnshtajni, ndoshta pak më të madh”,-+ është shprehur Neshat Xhaferi.

Ora 15:44
Konjufca uron Talat Xhaferin: Urime! Besoj se kjo do t’i hapë rrugën ndryshimeve të përparimit të vazhdueshëm politik

1705312750_glaukkonjufca.jpg

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Talat Xhaferin, i cili do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë.

Ai po ashtu shkroi "urojmë që kjo përgjegjësi e re t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim".

“Deri dje ai udhëhoqi shkëlqyeshëm Kuvendin e këtij vendi mik. Kryeministri shqiptar, sado me kompetenca dhe kohë të limituar, thyen një barrierë të perceptimit për këdo. Urojmë që kjo përgjegjësi e re t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim. Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut. Urime z. Xhaferi dhe suksese në detyrën tuaj, duke shpresuar dhe besuar se kjo do t’i hap rrugën ndryshimeve të përparimit të vazhdueshëm politik!”, shkroi Konjufca.

Ora 14:06
Maqedoni e Veriut, emërohet kryeministri i parë shqiptar, Talat Xhaferi

1706446273_talatxhaferi.jpg

Me 65 vota pro dhe 3 kundër deputetët votuan Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë. Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë ata ashtu edhe siç paralajmëruan nuk votuan qeverinë teknike, derisa deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent në sallë.

Ora 13:45
Kreu i BDI-së: Barazia na solli stabilitet, Maqedonia shtëpi e përbashkët

Ali Ahmeti në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit tha se kjo është një ditë historike për të gjithë shqiptarët.

Ai bëri edhe një kundër replikë me Antonio Milloshovskin për komunën e Kërçovës, duke i thënë se kurrë më në harmoni shqiptarët dhe maqedonët nuk kanë jetuar.

Ai gjithashtu i reagoi dhe e pyeti edhe Pavle Trajnov se kur ka qenë më mirë tani që jemi të barabartë apo para 20-30 viteve kur shqiptarët janë persekutuar. Nuk është e vërtetë që ju jeni qiraxhi, por është një e vërtetë që Marrëveshja e Ohrit, i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marrëveshje nuk u ndryshoi vetëm shqiptarëve gjendjen, por me këtë marrëveshje fituan të gjithë që jetojnë në Maqedoni, si turqit, romët, serbët, etj.

Ali Ahmeti tha se lufta e ftohtë ka mbaruar dhe tani është një luftë shurdhe, një luftë me armë bërthamore, duke shtuar se Moska ka shkelë mbi dinjitetin dhe sovranitetin e Ukrainës, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë politikash do të drejtojmë. A do të mbetemi peng i atyre ideve që kokën në Moskë, e trupin në Europë. Prandaj pa dallimi përkatësia duhet të themi JO RUSISË, PO EUROPËS.

Ora 13:06
Zgjedhja e kryeministrit shqiptar në krye të qeverisë, kreu i opozitës: Maqedonia prej sot është qiraxhi në shtetin e vet

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antoni Milloshoski në fjalimin e tij me kritika të ashpra ndaj Qeverisë së re teknike, duke nënvizuar për shkak të tradhtisë së LSDM-së, përkatësisht Kovaçevskit dhe Mariçiqit, Republika e Maqedonisë së Veriut sot është qiraxhi në shtetin e vet.

“Një dezertor dha dorëheqje, një tjetër po ulet në vendin e tij. Mos prisni nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë se Kovaçevski dhe të punoj në të mirë të shtetit. Sot Kovaçevski dhe Mariciç, e shitën shtetin, për interesa të tyre Maqedonia sot është qiraxhi në shtetin e vet…Për ata që thonë se sot është ditë historike, mund të pajtohemi se Maqedonia ka qeverinë më të korruptuar në vitet e fundit”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Milloshoski gjithashtu përmendi edhe shumë afera, e tendera “me flamuj evropian” dhe se si partia e Xhaferit është shndërruar në parti kazinosh dhe lojra të fatit.

VMRO-ja nuk do ta votoj qeverinë e Xhaferit.

“VMRO-DPMNE dhe koalicioni nuk do të votojnë për këtë qeveri, së pari se vendin e kryeministrit nuk duhet ta zë partia e cila nuk ka numrin më të madh të deputetëve, dhe e dyta nuk duhet që vendin e kryeministrit ta ketë partia e cila ka numrin më të madh të aferave korruptive. 

Ora 13:05
100 ditë qeverisje, Xhaferi: Do t’i mbajmë lidhjet me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në

Talat Xhaferi, kryeministri shqiptar që pritet të zgjidhet në krye te qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka paraqitur para deputetëve sot në Kuvend, politikat që do t’i ndjekë për këto 100 ditë sa do të jetë në krye të ekzekutivit.

Ai ka thënë se sundimi i të drejtës, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet politika qendrore dhe strategjike të qeverisë së tij. 

“Puna e qeverisë do të zbatohet në këto parime: respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut, përgatitja dhe zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale, të lira dhe konkurruese në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian”.

“Mbajtjen e shkallës së lartë të dialogut, transparencës dhe llogaridhënies. Mbajtja e avancimit të lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm dhe integrimin, e suksesshëm euroatlantik”, ka thënë Xhaferi

Ora 12:10
VIDEO/ Buçet kënga shqip në Kuvendin maqedonas, Ali Ahmeti i këndon heroit që luftoi serbët

Në ditën historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ku për herë të parë në krye të qeverisë do të vijë një kryeministër shqiptar, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti shfaqet teksa këndon këngën për Kalosh Danin, një këngë patriotike.

Ahmeti ka luajtur rolin kryesor që kjo ëndërr të realizohet për shqiptarët.

Talat Xhaferi do të drejtojë qeverinë teknike që do të merret me organizimin e zgjedhjeve. Më herët, Ahmeti e ka konsideruar historike si për shqiptarët dhe për maqedonasit zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në RMV.

 

Ora 11:49
Talat Xhaferi falënderon Ali Ahmetin: S’ka fjalë që të përshkruaj kontributin e tij në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë

Talat Xhaferi, në ditën e votimit si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ka falenderuar publikisht kreun e BDI-së Ali Ahmetin. Xheferi thotë se nuk ekzistojnë mjaftueshëm fjalë që përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin e tij në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

‘Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin Ali Ahmeti në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të edhe një dite historike për ne!’- shkruan Xhaferi.

Ora 10:45
Talat Xhaferi tregon si i vendosi fëmijëve emra shqip kur ishte e ndaluar në Maqedoni

1706435103_ta.jpg

Politikani Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ekipi i Klan Kosovës në krye me gazetarin Adriatik Kelmendi ka shkuar në shtëpinë e Xhaferit për ta intervistuar para se të shkojë në Kuvend për ta bërë betimin.

Gjatë intervistës, ai ka treguar për kohërat e vështira kur shteti Maqedonas ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve që jetonin atje.

Madje, ekskluzivisht për Klan Kosovën ai ka rrëfyer se si dy fëmijëve të tij u ka vendosur emra shqip.

“Unë kam dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Djali ka lindur në Leskoc, vajza në Gostivar. Edhe këtu dhe atje ishte çështja e ndalesës së emrave shqip dhe ajo përvojë nuk është vetëm e imja, por në përgjithësi. Edhe këtu dhe atje ishte lista paraprake e emrave që lejohej të përdoreshin nga shërbimet civile. Prej asaj liste duheshe me zgjedh një emër. Unë e them emrin e djalit Barlet, merr ta shkruajë, dhe unë i them pa J”, tha Xhaferi.

Kur është pyetur se çfarë kuptimi ka ky emër, Talat Xhaferi i ka thënë se është një emër internacional, duke mos i treguar që korrespodon me emrin e Marin Barletit.

“Vajza mban emrin Besiana, motivimi ime ashti që e kalonim rrugën Besiana dhe nga aty ishte frymëzimi”, tha Xhaferi.

Tutje, ai ka shtuar se në atë kohë ka pasur pengesa të theksuara dhe tani më nuk ka pengesa të tilla.

Ora 10:07
Xhaferi: Zgjedhja ime si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është një realitet që ndodh në kohën e duhur

1706432885_xhaf.jpg

Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë është në kohën e duhur, ndonëse do të jetë qeveri teknike me mandat 100 ditësh.

Xhaferi për Klan Kosovën ka deklaruar se më herët ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, sipas tij, tani kjo është një realitet.

“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Kontekstet kohore në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politik dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë me ditë, është çështje e proceseve që vijojnë dhe paraprijnë dhe që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se është në kohën e duhur konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet që ndodh i ri dhe është koha e duhur mendoj”, tha Xhaferi.

Ora 09:45
PROFIL/ Kryeministri i parë shqiptar në RMV, kush është Talat Xhaferi! Ish-komandat në kryengritjen e vitit 2001

Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai do të drejtojë qeverinë teknike për 100 ditë, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Por kush është kryeministri shqiptar që do të qeverisë Maqedoninë e Veriut?

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, ka lindur më 15 prill 1962 në fshatin Forinë në Gostivar, atëherë pjesë e Jugosllavisë.

Pas ndoqi shkollën fillore në Cegran dhe më pas shkollimin e mesëm në Shkollën e Lartë Ushtarake të Beogradit,  në moshën 19 vjeçare, në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, sdhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1992 deri në 2001 ka qenë oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa vjen edhe kryengritja ushtarake e shqiptarë në vitin 2001.

Teksa shqiptarët me në krye me Ali Ahmetin kishin filluar luftën, Xhaferi ishte ende një oficer në ushtrinë maqedonase si komandant në Tetovë.  Por një masakër e 28 prillit 2011, që njihet si masakra e Vicës, bëri që vetëm disa ditë më vonë Xhaferi të braktiste radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina, duke marrë emrin e fshatit të lindjes.  Që prej atëherë deri në përfundim të luftës Xhaferi u bë komandanti i Brigadës 116. 

Pas marrëveshjes së Ohrit dhe fundit të luftës, Xhaferi u zgjodh deputet për herë të parë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2002 nga radhët e Bashkimit Demokrat për Integrim të Ali Ahmetit. Nga viti 2004-2006 Xhaferi ishte Zëvendës Ministër i Mbrojtjes, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2013 u rizgjodh deputet.

Në vitin 2013 Xhaferi u emërua nga BDI si Ministër i Mbrojtjes. 4 vite më vonë, në prill të vitit 2017, ai bëri historinë duke u zgjedhur kryetari i parti shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, edhe pse me trazira të shkaktuara nga opozita.

Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze. Ai është nderuar me një sërë c çmimet në botën shqiptare dhe jo vetëm, ndërsa së fundmi ka marrë nofkën ‘realizuesi i ëndrrave të shqiptarëve’ të Maqedonisë.

Pozitat që ka ushtruar:

2002 - 2004 - Deputet në Kuvendin e Maqedonisë (BDI)
2004 - 2006 - Zëvendësministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut
2008 - 2011 - Deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut (BDI)
2011 - 2013 - Deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut (BDI)
2013 - 2014 - Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut
2014 - 2016 - Deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut (BDI)
2017 - 2024 Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • GOLI: 29/01/2024 09:09

    BEJ VAJTJE ARDHJE TE SHPESHTA NE KOTEC,NE HAPSIRAT E TETOVES E ME GJERE...KAM QENE NE SHOQERI ME ÇUNAT E TETOVES....BISEDA E TYRE PER KRYESUESIT E BDI ISHTE E TILLE : - JANE BASHKEPUNTORE TE SERBIT,DHE NE MES BISEDES SHPESH E FLISNIN TE THENEN DUIUDB

    Përgjigju
  • Ceni: 28/01/2024 23:54

    ????????????????????????????????????????????????????????????????????????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?