Historia e Nexhit, ‘akrobates me biçikletë’ që u bë pjesë e Cirkut që 10-vjeç: E kam një brengë, s’më hiqet mendja! E bija e vetmja xhonglere: E kemi pasion

9 Shkurt 2023, 18:24| Përditesimi: 9 Shkurt 2023, 18:37

  • Share

Numra xhonglërimi, performanca akrobatike e ekuilibri, që duket sikur mbajnë pezull ëndrra fluturake, klounada që u vjedhin të vegjëlve buzëqeshje duke i bërë pjesë të lojës... Truke magjike, e kafshët që ndjekin udhëzimet e zbutësve, Cirku ynë Kombëtar, në mbi 6 dekada histori, shkon përtej performancave fizike, përtej kohëve... duke krijuar në gjirin e tij një familje, që ndez tek fëmijët dritat e spektaklit, tek të vegjlit ëndrra fëminore... dhe e bën më të lehtë jetën e këtij qyteti, ku çdo ditë shikimit i humbet nga një copëz qielli...

Akrobatja Nexhi Dakle, prej një shekulli e gjysmë është pjesë e kësaj familje... Të tillë mbeten artistët e këtij rrethi edhe në moshë pensioni, pasi lidhja e tyre është e fortë. Është e shënjuar nga momente gëzimi, triumfesh, por edhe me dëmtime fizike apo çastesh të trishta... Gjithmonë e apasionuar pas gjimnastikës, ajo ishte vetëm 10 vjeç kur pasi e spikatën në Pallatin e Pionierëve, u bë pjesë e Cirkut Amator...

“Mbaj mend se kur fillova në Cirkun Amator atje ishte një atmosferë jashtëzakonisht e bukur. Ishin artistë, që bënin punë shtetërore dhe kishin pasion Cirkun Amator. Edhe mes të rriturve, kishte amatorë, që paradite mund të punonin të tjera profesione, si inxhinier etj., ndërsa pasdite bënin prova. Janë kujtime mbresëlënëse”, tregon artistja akrobate Nexhi Dakli, sot në pension.

Ndonëse edhe të rriturit ishin shumica amatorë a autodidaktë, tek kthehet në retrospektivë, Nexhi kujton se aty punohej me shpirt, me orë të tëra për të perfeksionuar numrat, që do të rrëmbenin duartrokitjet e publikut.

“Ne ishim fëmijë të vegjël, por sapo hymë në ato ambiente pamë djem e vajza të reja që bënin stërvitje me shumë pasion. Dhe në atë kohë, numrat që bëheshin ishin shumë të vështirë!”, rrëfen Dakli.

I kujton ende numrat e saj të parë, që artistët i mësuan në atë periudhë…

“Numrat e parë kanë qenë tablotë akrobatike që bëheshin me shumë nxënës. Me tra ekuilibri dhe ushtrime toke.”, tregon artistja.

Më të mirët nga grupet amatorë të cirqeve, do t’i bashkoheshin më tej Cirkut Profesionist. Nexhi sapo kishte nisur të perfeksiononte numrat e saj në gjimnastikë, kur i thanë, se ajo duhet të provonte veten, e nëse e kalonte provën t’u bashkohej.

“E gjitha ndodhi duke kaluar ‘testin’ që bënë në ato kohë përmes komisioneve. Një ndër fitueset që u zgjodhën isha dhe unë. Pastaj na ndanë në profile. Në profilin tim përfshiheshin numra të ndryshëm, tablo, xhonglerë, numra ekuilibri me biçikletë ose piedestal, siç e quanim në atë kohë”, shton më tej.

Në grupin e profesionistëve, ajo i kujton të gjithë emrat e portretet e atyre që i dhanë mbështetje, për të prekur më tej  kulminacione artistike…

“Në Cirkun Profesionist kanë qenë shumë. Nga Ndriçim Kazazi, Pavli Sallata, Ali Xhixha, Gjyslime Petrela, Vitore Sallaku, Pineo Shkurti e shumë të tjerë... Ne kemi qene fëmijë, por na kanë ndihmuar shumë se si të stërviteshim dhe si të vepronim. Pa ndihmën e atyre ne nuk mund të ecnim. Ndryshe ishte gjimnastika dhe ndryshe ishte Cirku”, thotë Dakli.

Një nga numrat më të vështirë të artistes, me të cilin do të rrëmbente duartrokitjet e publikut ishte padyshim akrobacia mbi biçikletë…

“Duke qenë se bëja numra të profileve të ndryshme, kisha disa trajnerë. Artisti Pavli Sallata është  autor i gjithë numrave të  mi me biçikletën. Ai ishte shumë miqësor dhe shumë i duruar. Kemi punuar me shumë vështirësi”, shprehet më tej.

Nuk ka pasur paragjykime në atë kohë rrëfen Nexhi, përkundërazi. Cirku ishte i ndarë mes djemve e vajzave, mes të cilëve kishte harmoni. E numrat e vështirë të një artisteje të re në skenë, priteshin veçse me duartrokitje….

“Numrat janë pritur shumë mirë. Të shikosh  një vajzë natyrshëm nuk është e njëjta gjë si të shikosh performancën e një artisti djalë, pasi ai ka tjetër temperament, por numrat tanë janë mirëpritur dhe vlerësuar”, shprehet Dakli.

Në Cirk Nexhi kalonte orë të gjata, derisa arriti të perfeksiononte numrat e saj. Publiku e mirëpriste në skenë dhe e njihte edhe jashtë saj. Pasi në atë kohë, fëmijët, por edhe të rriturit, Cirkun dhe artistët e tij, i kishin pjesë të rutinës së tyre…

“Ishte një kënaqësi e madhe, që sa herë kaloja fëmijët ndalnin e thoshin: ‘Shiko teta që pamë te Cirku i Tiranës’ “, rrëfen artistja.

Cirku para ’90-ës vizitohej edhe nga figura me peshë, përfshirë udhëheqjen politike. Si shfaqja e fundit më e madhe para rënies së sistemit, kujtohet ajo që artistët dhanë në bashkëpunim me regjisorin Pirro Mane në vitin 1987, në Pallat të Sportit.

“Mbaj mend se asokohe, erdhi Piro Mani e po shikonte performancat se kë mund të përzgjidhte. Ndër artistët që u zgjodhën isha dhe unë. Performancat ishin shumë të vështira dhe të bukura. Unë do të bëja një numër me biçikletë, me dy persona mbi tavolinë mbi një tub të lartë”, kujton artistja.

Edhe sot Nexhi e kujton me nostalgji atë shfaqje e pritjen që u pat bërë publiku.

“Ishte një shfaqje spektakolare, që çdokush që ishte prezent e kujton edhe sot.  Publikut i kemi dhuruar shumë emocione, Pallati i Sporteve ka qene plot e përplot me spektator”, thotë ajo.

Nuk është e lehtë të jesh artist në Cirk, për më tepër akrobat, edhe pse Nexhi ka performuar edhe të tjerë numra si ato të ajrit apo xhonglerimit. Ka pasur raste edhe që është dëmtuar fizikisht gjatë provave të vështira, e megjithatë nuk ka hequr dorë.

“Në skenë nuk kam pasur dëmtime, por ka ndodhur gjatë provave. Njëherë kam thyer dorën, por sërish nuk rrija dot pa shkuar në Cirk. Pasioni për punën ishte shumë i madh, ishte bërë pjesë e jona”, shprehet ajo.

Nuk hoqi dorë Nexhi nga Cirku as pas ’90-ës kur shumë kolegë të saj, zgjodhën të emigronin. 

“Pas '90-ës si në çdo fushë të artit, që nisën të largojnë artistët, fondet nuk ishin të mëdha, aktiviteti ra, artistët nisën të largoheshin... siç ndodhi në çdo fushë të jetës”, tregon më tej.

E megjithatë artistët që mbetën nuk i ndërprenë asnjëherë shfaqjet, edhe pse mbaheshin më rrallë. Dokli tregon se do të kalonte nga akrobacia në mësuesi, për t’u përçuar zanatin më të rinjve.

“Kur nisa në mesuesi kam punuar me Mjeshtrin e Madh Bajram Kurtin. Duheshin profesionistë për të mësuar artistët e rinj dhe mjeshtri tha ‘Nexhi është tamam për këtë punë’.  Me ndihmën e tij unë arrita të mirja shumë dije edhe në këtë drejtim. Kam edukuar breza të tërë, shumë prej të cilëve kanë arritur mjaft suksese”, shprehet Dakli.

Nga të rinjtë që do të mësonte, ishte edhe e bija. Mes orëve të gjata kur Nexhi i merte dy fëmijët me vete në Cirk, në radhët e publikut, e Erisi, do të apasionohej me numrat e xhonglerimit, të cilat nisi ti praktikonte vetiu në shtëpi, e më pas me udhëheqës artistic Kujtim Dumin.

“Mbaj mend se unë vija gjithmonë me mamin. Shikoja shfaqjet në Cirk, e ndiqja në stërvitje. Ka qenë dhe një palestër xhonglerësh, që ende ka mbetur aty, ku unë shikoja numrat e xhonglerëve… I pari që kam pikasur ka qenë Sokrat Buza, dherealisht u fiksova pas numrave të tij, të cilat nisa t’i praktikoj në shtëpi… Ime më duke parë këmbënguljen time nisi të më ndihmojë, më pas kam punuar me Halil Minxollin, mjeshtrin tonë të xhonglerëve… Shfaqja ime e parë si soliste ka qenë te ‘Pinoku’”, tregon xhonglerja Eris Hoxha, e bija e Nexhit.

Erisi, është aktualisht e vetmja xhonglere në Cirk. Rrëfen se të tjerë kolegë të saj për shkak të mungesës së mbështetjes së këtij profesioni, kanë zgjedhur të largohen.

“Si profil, xhonglerimi kërkon së paku tri veta, ne kemi qenë gjashtë. Situata është e dhimbshme! Për numrat masivë duhet më shumë se një xhongler, aty qëndron dhe e bukura e këtyre numrave. Është e trishtueshme që kam mbetur vetëm unë, kam shumë dëshirë që të shtohen, të jenë sa më shumë. E ku ka më bukur se sa  të mbushet një arenë me xhonglerë”, tregon Erisi.

Mungesa e një çadre mbi kokë, e trajnimi në një palestër pa kushtet minimale, është arsyeja kryesore që artistët heqin dorë, nga ajo që është ëndrra e tyre, të performojnë në Cirk.

“Janë pa një çadër, është fatkeqësi e madhe të lësh Cirkun pa godinë… Ne kemi vetëm një Cirk, fëmijët ku do të shkojnë… Nga ana tjetër artistët performojnë në kushte tepër të vështira, pa asnjë lloj ndihme… ai që i nxit ende të punojnë është pasione, e shpesh në shfaqje kontriubojnë dhe me të ardhurat e tyre”, thotë Nexhi Dakli.

“Të gjithë këtu kanë dëshirë të punojnë, pavarësisht këtyre kushteve… Këtu vijnë fëmijë çdo ditë, që kërkojnë të mësojnë, e një ditë të bëhen pjesë e Cirkut Kombëtar”, tregon më tej Erisi.

Prej një dekade në moshë pensioni, Nexhi gjatë këtyre viteve është përpjekur të ndihmojë të rinjtë në trajnim edhe vullnetarisht. Nuk e shqetëson shpërblimi i ulët në moshë pensioni, por tkurrja e Cirkut, e ardhmja e tij.

“Brenga është e madhe! Se të jesh me 150 veta e të përfundosh në 30, është një plagë shumë e fortë. Nuk të njihet mundi për stërvitjet që ke bërë. Është i vetmi në Ballkan, nuk ka tjetër Cirk. Duhet vetëm një dorë, që kjo rini të ecë përpara”, shprehet më tej artistja.

Rrëfen se do të ishte e gatshme të ndihmonte sërish, mjafton që shteti të marrë masat e t’u sigurojë artistëve një çadër mbi kokë, kushte të përshtatshme, mundësinë për të performuar në skenë…

“Edhe sot e kësaj dite Cirkun e kam pasion. Nuk me hiqet mendja! I them Ministrisë se Arsimit dhe Kulturës që të vënë dorë mbi Cirkun. Është keqardhje që të shkëputet një aset kombëtar. Fëmijët nuk kanë ku shkojnë. Duhet një ndihmë që të ngrihet. Si ka qenë nuk bëhet, por të paktën të ecë përpara. Me ata që kanë ngelë, e pse jo të shtohen dhe të rinjtë që bëjnë stërvitje, ndonëse nuk paguhen për pasionin e tyre që kanë”, thotë më tej Nexhi.

Erisi është nënë e dy fëmijëve. Thotë se jo vetëm tek e bija, por edhe tek vogëlushët e tjerë sheh dëshirën për të ndjekur Cirkun e shkëndijat pas çdo performance.

“Vajza ka shumë  dëshirë të shikojë në Cirk. Pyet ngaherë, nëse do të ketë shfaqje të re. Të gjithë fëmijët duan të shikojnë shfaqje të reja në Cirk, në Teatrin e Kukullave etj. Por, në këto kushte që jemi, vetëm telefoni ka mbetur. Asgjë tjetër”, shprehet Erisi.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?