Historia e maces së ngjitur/ Familja në Tiranë kthen shtëpinë në strehë për 4 putroshët e braktisur

16 Nëntor 2020, 16:52| Përditesimi: 16 Nëntor 2020, 17:02

  • Share

Dashuria për kafshët është një shenjë humanizmi. Në familjen Asllan, e veçanta është se macet e braktisura i marrin dhe i rrisin në banesën e tyre. Pranë meje është vajza 10-vjeçare Lejla. Ka gjetur maçokun e vogël dhe më pas e ka rritur. E para mace që hyri këtu është Mia Luna. Smeralda ka dy vjet që kujdeset për të. Mia ka pasaportë dhe në të janë shënuar të gjitha vaksinat si dhe të dhënat e saj.

“Kjo është pasaporta e Mias ku janë shënuar të gjitha vaksinat përkatëse dhe disa këshilla të domosdoshme domethënë që duhet të kesh parasysh për kafshët”, tha Smeralda.

Më pas njëra pas tjetrës pjesëtaret e familjes Asllan kanë ushqyer dhe mjekuar mace të keqtrajtuara. Sot vëmendja është tek Çiko. Lejla e gjeti në rrugë me këmbë të thyer.

“Po kthehesha nga shkolla me motrën time dhe ne dëgjuam një ‘miau’. Pastaj pamë një mace të vogël poshtë makinës. E morëm në shtëpi dhe mami e thau me tharëse sepse po dridhej shumë se ishte e lagur”, shprehet vogëlushja Lejla.
“Dhe e mbajtëm dhe ngrohëm me tharëse sepse nuk dinim si ta ngrohnim ndryshe sepse ishte komplet i ngrirë. Domethënë nuk lëvizte as duartë as këmbët dhe mendonim se mos e kishte shtypur makina sepse më tha që e kishte gjetur poshtë rrotave”, thotë Smeralda.

Nëna e Lejlës e rritur me dashurinë për kafshët, këtë gjë e ka transmetuar dhe te fëmijët. Në rrjetet sociale, ajo publikon historitë e maceve të braktisura dhe kërkon informacion si të kujdeset për to. Përvec Çikos dhe Mia Lunas, Smeralda publikoi rastin e maces me të cilën është abuzuar shumë keq.

“U përpoqa të gjeja ndonjë mënyrë për t’ia lehtësuar sado sepse ishte shumë e sikletshme, pjesën e barkut e kishte të ngjitur. Dhe mora shumë këshilla, njerëzit fatmirësisht në rrjetet sociale janë shumë të gjindshëm dhe më sugjeruan të përdorja vaj ulliri, t’i bëja masazh ose t’ia qethja atë pjesën me makinë rroje”, shton më tej ajo.

E prekur Smeralda i bën thirrje prindërve të edukojnë fëmijët me dashurinë për t’u kujdesur për kafshët dhe mos t’i dhunojnë ato.

“Në kulturën e prindërve, për edukimin e fëmijëve të tyre të kishte një farë ndjeshmërie dhe një farë kujdesi për këtë aspekt”, përfundon Smeralda.

er.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • H hyko: 18/11/2020 10:31

    Distanca dhe vetëm distanca...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?