Sociale

Historia e Ahmet Lilës, mjeshtri durrsak i anijeve prej druri që rrezikon të mbetet i papunë: S'ka shitje! Si profesion e mësova vetë, dhunti e Zotit

20 Nëntor 2021, 20:00| Përditesimi: 20 Nëntor 2021, 20:42

  • Share

DURRËS- Mes fluksit të zhvillimit të një qyteti të madh bregdetar si Durrësi, shpesh disa asete mbeten aty për të na kujtuar se tradita vazhdon. Një prej tyre është Ahmet Lila, të cilin e gjejmë në pragun e shtëpisë së tij duke punuar me anijet prej druri.

Në qytet të gjithë e njohin mjeshtrin artizan, që me duart e arta i jep formë drurit duke realizuar prej më shumë se 50 vitesh me qindra anije të formave dhe përmasave të ndryshme.

 “ Kam qenë në moshën 7-8 vjeç merrnim lëvozhga pishe edhe i gdhendshim nga brenda dhe luanim në ujë me to. Kur mbusha 16 -17 vjeç fillova të bëja anijet tona tregtare të asaj kohe si “Sazani”, “Butrinti”, “Durrësi” , tregon ai.

Mjaft i apasionuar, Lila punon pa ndërprerje dhe rrëfen historinë e një jete e cila mund ta ketë futur në çdo qorrsokak, por që kurrë nuk e largoi atë nga gdhendia e anijeve me vela.

“Dhunti e Allahut, nga asnjëri nuk e kam mësuar. Të gjitha i kam bërë me forcat e mia duke blerë material. Por, ishte kënaqësia që arrita të bëj anije me vela të çdo lloj modeli. Kam bërë anijet edhe të Kolombos”, shprehet Lila.

Vitet e fundit gjendja ekonomike ka ardhur duke u vështirësuar gjithnjë e më shumë dhe kjo ka ndikuar pashmangshmërisht në zanatin e Lilës. Madje po mendon ta lërë punën, sepse anijet prej druri nuk shiten.

 “Nuk ka kërkesë se ka rënë punë. Ja kjo është shife, aty janë dy copë që i kam në shtëpi por nuk ka shitje. Ishallah po na hapet ndonjë variant tjetër pune që të punoj e të mbaj familjen se më të pension që marr unë, nuk del as për pension dhe drita, as ha dot me të”, tha Lila.

Dy anije kanë mbetur në shtëpinë e rrënuar të artizanit durrsak, Ahmet Lila dhe stina e dimrit nuk është më e favorshmja për shitjen e tyre, pasi turistët e huaj rrallohen. Vitet e para të demokracisë kanë qenë më frytdhënëset për Lilën, pasi siç kujton një verë arriti të shiste plot 100 të tilla, ndërsa tani interesi për punimet artistike artizanale është në rënie....

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?