Hedhja e shortit në ambientet e Presidencës

Hidhet shorti për 9 anëtarët e rinj të KED për vitin 2023, Sandër Simoni do të jetë kryetari i ri! Emrat që përfaqësojnë 6 institucione të sistemit të drejtësisë

5 Dhjetor 2022, 10:23| Përditesimi: 5 Dhjetor 2022, 12:30

  • Share

TIRANË –Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sandër Simoni, Arqilea Koça, Fuat Vjerdha dhe Engert Pëllumbi, Arta Marku, Gjon Fusha dhe Enerjeta Shehaj (Deraj) janë 9 emrat që janë zgjedhur deri tani si anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2023. Sipas ligjit kryetari i ri do të jetë Sandër Simoni si përfaqësues i Gjykatës së Lartë.

Pak javë më parë Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dërguan në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në short. Në KED zgjidhen 2 anëtarë nga Gjykata Kushtetuese (Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj), 1 përfaqësues i Gjykatës së Lartë (Sandër Simoni), 1 përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme (Arqilea Koça), 2 përfaqësues nga Gjykatat e Apelit (Fuat Vjerdha dhe Engert Pëllumbi), 2 përfaqësues të Prokurorive të Apelit (Arta Marku dhe Gjon Fusha) dhe 1 përfaqësues nga Gjykatat Administrative (Enerjeta Shehaj (Deraj)).

Shorti u hodh në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës. Gjatë kësaj procedure morën pjesë Avokatja e Popullit, në cilësinë e vëzhguesit, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese si dhe nga dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe OPDAT.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtarë me një mandat 1 vjeçar dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksioneve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshilli shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme

Organet e emërtesës, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, emërojnë dhe zgjedhin gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese ndërmjet tre kandidateve të renditur në tri vendet e para nga Këshilli. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Lartë të drejtësisë ndërmjet pesë kandidatëve të renditur në pesë vendet e para nga Këshilli. Në rastin kur këto organe të emërtesës nuk arrijnë të emërojnë dhe zgjedhin kandidatin, i emëruar në detyrë është kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Emrat e zgjedhur dhe ato zëvendësues deri tani

Gjykata Kushtetuese: Anëtarë Fjona Papajorgji  dhe Altin Binaj! Vitore Tusha anëtare zëvendësuese

Gjykata e Lartë: Sandër Simoni anëtar, Albana Boksi zëvendësuese

Prokuroria e Përgjithshme: Arqilea Koça anëtar, Alma Muça zëvendësuese

Gjykatat e Apelit: Fuat Vjerdha dhe Engert Pëllumbi anëtarë, Genti Shala zëvendësues.

Prokuroritë e Apelit: Arta Marku dhe Gjon Fusha, zëvendësues Moisi Duda

Gjykatat Administrative: Enerjeta Shehaj (Deraj) anëtare, zëvendësues Elda Vrioni

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?