Ceremonia e vendosjes së gur-themelit

Hidhet guri i parë i themelit të kishës së re të Shën Gjinit në Vermosh

7 Korrik 2023, 14:53| Përditesimi: 7 Korrik 2023, 15:11

  • Share

Pas 2 viteve Vermoshi do të ketë kishën e re, më të bukurën në Shqipëri, kishën e Shën Gjonit. Kisha aktuale, me të njëjtin emër, u ndërtua mes viteve 1995-96 në sajë të kontributit të banorëve të zonës, ndërkohë që ajo e vjetra, pas vitit 1967, u keqtrajtua gjatë monizmit deri në shkatërrimin e plotë të saj.

Sot, u vendos guri i parë në themelet e kishës së re, e cila do të ndërtohet nga e para sipas kritereve që i përshtaten një objekti kulti.

Deri tani janë paraqitur 5 projekte, ku fitues është njëri prej tyre i paraqitur nga inxhinieri-projektues Klaud Luka.

Gjithë fondi, mbi 700.000 $ është kontribut i diasporës, kryesisht i anëtarësisë së Shoqatës "Vermoshi" në USA, aty ku dhe kanë emigruar prej dekadash bijtë e kësaj zone. Iniciatori  i sigurimit të fondit ishte famullitari i Kelmendit Viktor Demaj, i cili ndërmori një sërë takimesh me diasporën në kontinentin e largët.

Gatishmëria e tyre ka qenë e madhe, falë dhe lidhjeve të forta me vendlindjen. E të mendosh se kontribuuesit janë brezi i tretë i diasporës që është lindur e rritur në USA, kjo dëshmon mrekullinë e kësaj kishe për të hyrë në zemrat e tyre.

Diaspora nga Vermoshi ka kontribuar edhe për mjaft familje në nevojë, ndërtim urash, ç’ka e rendit Malësinë e Madhe në bashkitë e para ku shtegtarët investojnë për komunitetin e tyre. Mesha sot në kishën e Shën Gjonit ishte tejet e veçantë.

Gjovalin Vukaj foli në emër të kryesisë së shoqatës "Vermoshi" në USA ku theksin e vuri tek e kaluara dhe e tashmja, pandashmëria mes tyre dhe roli i shqiptarëve që jetojnë larg atdheut, kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj  vuri në dukje kontributet e vazhdueshme dhe roli i diasporës në zhvillimin e zonës, Mon. Ipeshkv Shkodër -Pult Angelo Masafra ndër të tjera theksoi forcën e besimit dhe vëllazërimit mes shqiptarëve.

Në mënyrë simbolike, klerikët së bashku me përfaqësuesit e diasporës dhe banorët e zonës vendosën gurin e parë të themelit të kishës së re, e cila do të ndërtohet në oborrin e kishës aktuale. Më tej aktiviteti u vijua me një program artistik nga shoqata e njohur kulturore "Jehona e Kelmendit", me udhëheqëse Dila Vaçaj.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?