VIDEO/ Hidhet granatë dore në tregun e kafshëve në Prizren, 10 të plagosur

22 Nëntor 2023, 09:40| Përditesimi: 22 Nëntor 2023, 11:45

  • Share

Të paktën 10 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate dore sot në orët e hershme të mëngjesit (22 Nëntor) në Tregun e Kafshëve në Prizren. Sipas Policisë, të lënduarit janë transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim mjekësor.

Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, tha për mediat në Kosovë se ndihmë mjekësore kanë kërkuar dhjetë persona.

Sipas tij, pesë prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë tjerë janë liruar për në shtëpi.

“Rreth orës 05:00 i kanë sjellë në Emergjencën e spitalit tonë. Janë dhjetë të lënduar, ku pesë prej tyre janë transferu për në QKUK dhe pesë janë liru në shtëpi”, tha Veçgishti.

Ai bëri të ditur se të plagosurit kanë marrë lëndime në gjoks dhe në qafë dhe për shkak se të njëjtit nuk mund të trajtohen në Spitalin e Prizrenit, janë transferuar në QKUK.

“Kanë disa lëndime që nuk mund të trajtohen në Spitalin e Prizrenit. Kanë lëndime në gjoks, në qafë dhe për mungesë të specialiteteve të caktume, prandaj janë transferu në QKUK”, tha Veçgishti.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i tha Sinjalit se lidhur me rastin janë identifikuar tre persona të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim policor.

“Sot me datë 22.11.2023, rreth orës 04:50, Policia ka pranuar informatë për një rast plagosje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se 9 persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë të lënduarit janë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit duke marrë trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre te dyshuar janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?