Hetoi mbi tragjedinë e Otrantos, kujtohet në praninë e nënës Leogrande, autori i “Mbytjes së anijes”, kolegët: Në libër denoncoi Marinën Italiane e Ministrinë e Mbrojtjes

4 Prill 2023, 15:49| Përditesimi: 4 Prill 2023, 16:16

  • Share

“Kur Alessandro Leogrande u nda nga jeta e qau e gjithë Italia, por unë e kam ndjerë këtë si një humbje të madhe edhe për ne shqiptarët”, u shpreh botuesja Arlinda Dudaj.

Pesë vjet larg nga ndarja e parakohshme nga jeta në moshën 40 vjeçare, gazetari e shkrimtari italian Alessandro Leogrande kujtohet në Qendrën për Hapje dhe Dialog mes kolegëve e familjarëve. Një shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në marrëdhëniet Shqipëri-Itali...

“Ka qenë një figurë me shumë peshë për punën që ka bërë, veçmas për afrimin dhe ndërtimin e urave mes Italisë dhe Shqipërisë” , tha Alessandro Ruggera, Drejtori i Institutit Italian të Kulturës.

Miqtë e sjellin në vëmendje për zërin e tij kritik, që në moshën 22-vjeçare kur i vinte në dukje krye bashkiakut të Barit abuzimet me ndërtimet, integritetin dhe dellin investigativ, të cilën nuk e kurseu as për Shqipërinë, në çështje madhorei siç është Tragjedia e Otrantos.  Botimi “Mbytja e Anijes”, i sjellë në shqip, përfshinë një punë hetuese të gjithanshme të autorit, i cili takoi të mbijetuar, familjarë dhe nuk kurseu as akuzat ndaj vendasve të tij.

“Në këtë libër denoncohet Marina Italiane si dhe Ministria e Mbrojtjes Italiane, ku thuhet se në fillim kanë dhënë urdhër për kryerjen e operacioneve shumë të rrezikshme kundrejt anijes që ishte plot me shqiptarë dhe që po tentonin të vinin në Itali, dhe që mbytet pikërisht për shkak të këtyre operacioneve” , thotë sociologu dhe pedagogu Domenico Perrota.

Copëza Shqipërie gjenden edhe në dy librat e tij të tjerë në shqip “Kufiri” dhe “Adriatiku”.

“Mirënjohje të gjithëve për këtë takim, kjo është një shenjë e mirë për kulturën, letërsinë”, u shpreh Maria Leogrande, nëna e gazetarit.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?