Hetimi për paratë ruse? Rama: Nga zyra ime doli raporti i CIA-s?! Po të kisha informacion do të kisha raportuar patjetër

2 Mars 2023, 11:27| Përditesimi: 2 Mars 2023, 13:23

  • Share

 

Rama foli në Kuvend edhe në lidhje me akuzat e opozitës së ka ndihmuar në shkatërrimin e opozitës për paratë ruse në lobimin e Partisë Demokratike.

“Këtu bëhet fjalë për informacionin që aktakuza thotë se personi A ka marrë nga zyra ime lidhur me skandalin e financimit rus të Partisë Demokratike. Koha së cilës i referohet ky moment përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, dëgjojeni mirë këtë se është shumë e rëndësishme, duhet ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët edhe demokratët, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim të fshehura? Për çfarë, për të mbrojtur Lulin? Apo për të mbrojtur tutorin e Lulit, se Luli nuk i merrte vetë paratë ruse, lërë se ç’thotë tutori që nuk dija gjë.

Nga ana tjetër, e kam thënë dhe e përsëris, që po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare.

Problem për vendin do ishte e kundërta, që unë të kisha informacion që rusët hidhnin para për birra dhe këndimin e himnit tek çadra poshtë dritares sime për të rrëzuar qeverinë dhe të mos tregoja.

Tani, më falni por sinqerisht unë nuk e kuptoj mirë se ku doni të dilni me këtë, se dëgjova që dhe ai, artisti Lulzim ishte zgjuar një çast nga gjumi i dimrit dhe kishte bërtitur “Doli e vërteta”.

Cila e vërtetë doli? Që paratë i kanë dhënë 500 fantazma shqiptaro-amerikane në diasporë për të shembur komunizmin në Shqipëri me çadrën dhe rusët i kam shpikur unë? I kam shpikur unë përmes një informacioni disinformues që përmes dikujt nga zyra ime i është dhënë personit A nga Tropoja, i cili ia kaluar personit C nga New York-u, që nga ana e tij ia kaluar Departamentit të Drejtësisë Amerikane, përmes të cilit i është kaluar drejtuesve të FBI-së, të cilët ia kanë kaluar pastaj të zbardhur CIA-s, e cila e ka publikuar në raportin e saj se Partia Demokratike, së bashku me një parti tjetër në Maqedoninë e Veriut, një parti tjetër në Mal të Zi, një parti tjetër në Bosnje financohen nga paratë ruse për të destabilizuar. Është në raportin e CIA-s.

Kjo është e vërteta që doli sipas jush apo edhe rusin që e ka emrin të shënuar dhe mbiemrin të shënuar në regjistrat e thesarit amerikan, si i paguar, e ka deklaruar vetë, “Kam paguar për të ndihmuar PD-në”. E shpika unë atë te studio e qeramikave të shtunën kur ju ishit në revolucion me 100 mijë veta dhe unë isha fshehur aty e unë po bëja një matrioshkë ruse me dinamit brenda dhe e nisa në Washington që me telekomandën time ta hedhë në erë?

Ju doni shqiptarët të ngrihen në revolucion duke besuar tërë këtë përrallë mitologjike të fuqisë time penetruese në të gjitha institucionet e sistemit të sigurisë amerikane që i kam bërë të kërcejnë unë, si të ishin ata barkderrat me flokë të lyera dhe me varëse që hedhin valle në dasma me kartëmonedha në ballin e dirsur dhe me ato kostumet “Versaqe”.

Ju qofshi seriozisht, qofshi ju. Zoti i ndihmoftë rrugëhumburit që vijnë pas jush me kuaj flokëkaltër dhe me autobusë që paguhen nga puna e ndershme e personit Z, e personit Y, e personit M.L dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta përmes ruletave që mbikëqyr Europoli.”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

'McGonigal', 1 muaj sherr për 1 orë debat! Opozita-Ramës: Ik, je në hetim në SHBA! Kryeministri: Asnjë akuzë nga amerikanët! Rrugët tona ndahen këtu, shihemi më 14 maj


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?