Hetimet e SPAK ndaj institucionit që drejtohej nga Ilir Beqaj, kur u krijua ‘SASPAC’ dhe çfarë roli ka?

29 Dhjetor 2023, 21:33| Përditesimi: 29 Dhjetor 2023, 22:35

  • Share

1703882741_saspak.JPG

Sot Report Tv mësoi se SPAK ka nisur një hetim edhe për dyshimet për abuzim të fondeve të huaja në Agjencinë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, (SASPAC) gjatë kohës kur në krye të këtij institucioni ishte Ilir Beqaj.

Deri më tani mësohet se nën hetim është anëtari i kësaj Agjencie, Ermal Kurtulaj, të cilit i është kontrolluar edhe banesa. Lidhur me këtë hetim, i është kontrolluar banesa edhe ish-ministrit Ilir Beqaj, shoferit të tij Arben Dani, Sabian Kurtulajt dhe Gazment Prengës, administrator të biznesit që drejton gruaja e Ilir Beqajt. 

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj e mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe e mbajti atë deri në nëntor të këtij viti kur u dorëhoq pasi SPAK nisi hetimet ndaj tij për shkeljet me koncesionin e Sterilizimit.

Krijimi i kësaj agjencie u firmos në 29 tetor të vitit 2022 me vendim të Këshillit të Ministrave.

Por cili është roli i SASPAC?

Kjo agjenci ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHI-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe projekteve zhvillimore.

Ndër përgjegjësitë e agjencisë së re është edhe mbështetja e ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

SASPAC, po ashtu, mbështet Kryenegociatorin dhe Grupin Negociator në programimin dhe monitorimin e asistencës financiare të BE-së në funksion të procesit të aderimit në BE dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.


Lajmi kryesor:

SPAK heton Ilir Beqajn për korrupsion e shpërdorim detyre, dyshohet për fshehje pasurie! Lidhjet me ‘Delta Pharma’ e fondet e SASPAC, i kontrollohet banesa


B.V/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?