Politikë

'Heqja e kufirit alarmon Brukselin më shumë se Beogradin', Rama: Në veri të Kosovës të mos ndodhë si me tarifën! Asyeja pse kam insistuar për ‘minishengenin’ dhe marrëveshjet mes dy qeverive

27 Shtator 2021, 17:33| Përditesimi: 27 Shtator 2021, 18:33

  • Share

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me studentët ka folur edhe për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe për marrëveshjet mes 2 qeverive. 

Rama tha se ka shumë marrëveshje nuk janë zbatuar dhe disa pjesërisht. Për këtë arsye ai theksoi ka folur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ndryshimin e sistemit të punës nga dy administratat, që ta ndjekin me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën aftësi për ta kuptuar se sa të rëndësishëm janë ato hapa drejt së ardhmes. Ai foli dhe për kufirin dhe lirinë e lëvizjes mes dy vendeve, teksa theksoi se nuk mund të jetë e plotë pa marrëveshje me të tjerët, e ndaj ka këmbëngulur për atë që u quajt ‘minishengeni’ e tani është “Ballkani i Hapur”.  Sipas tij, ‘ka plot gjëra që në pamje të parë duken të vogla, por që përbëjnë një mozaik për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, këtej dhe andej kufirit’.

"Ju e dini që ne me Kosovën po bëjmë angazhime, që nga futja e mbledhjes së dy qeverive, që përmes kësaj nisme kemi mundësi të diskutojmë, të japim mendime e të marrim vendime. Më pas vjen një tjetër mbledhje dhe vjen vlerësimi i atyre që janë arritur. Në këtë aspekt, mendoj se kemi prodhuar shumë më tepër marrëveshje dhe dakordësi. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht apo nuk janë zbatuar fare, kjo për shkak të një sistemi pune që duhet ndryshuar. Për këtë kemi folur sot me kryeministrin, në mënyrë që edhe administrate këtu e në Shqipëri ta ndjekë me të njëjtin vullnet. Ka plot gjëra që mund të duken të vogla në pamje të parë por të gjitha së bashku përbëjnë një mozaik për lehtësimin e jetës së qytetarëve, qoftë këtej, qoftë dhe nga ana tjetër me të cilën na ndan kufiri.

Mund të lehtësohet nga radha e gjatë, nga kontrollet e dyfishta të gjitha mallrave, mund të lehtësohet nga situatat dramatike në sezonet turistike. Mund të kthehet edhe në kufi formal pa ndikim të madh në jetët e qytetarëve, siç është edhe në BE. Duke u bërë pjesë e një sistemi të ri lëvizës që janë të njëjtat me të cilat funksionon dhe Bashkimi Europian. BE funksionon me katër marrëveshje për të cilat nuk ka kufi. Është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova të mos e analizojnë këtë dhe kjo në një masë të caktuar mund të realizohet pa pasur nevojë për marrëveshje me të tjerët, në vite ka pasur herë pas here udhëheqës që kanë bërë deklarata të tipit ‘do heqim kufirin’, njëri për Vit të Ri, tjetri për Krishtlindje, dhe asnjëherë nuk është hequr. Kjo sepse në momentin që t’i thua do heq kufirin, alarmon të gjithë dynjanë dhe nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin. Dhe kjo është arsyeja pse unë e kam përmendur atë që është pagëzuar si mini-Shëngen, nuk e kam quajtur unë, duke qenë se jam i gjatë, fjalën ‘mini’ nuk e….Ideja ishte tek lëvizja e lirë e njerëzve, Serbia pranonte të futej por pa lëvizjen e lirë sepse automatikisht do pranonte Kosovën. Ndërsa ne nuk do të pranonim dot një projekt të cunguar. Janë dy shina në të cilat ne duhet të ecim. Përsa i përket çështjes aktuale në Veri të Kosovës, kjo është shumë e qartë, Kosova ka të drejtë, çështja e targave është e drejtë e çdo vendi dhe është shqyrtuar më parë, në marrëveshje të mëparshme.

Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarë e serbë të Kosovës, por këtu është shumë e qartë që nuk po kërcënohen dhe asgjë, por janë nga më të përkëdhelurit dhe e bën Kosovën një shembull për mënyrën si duhet trajtuar një pakicë. Edhe pse unë nuk e kuptoj se si mund tu paguhen edhe faturat e dritave. Ata janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve. Manovrat teatrale mund të sugjestionojë publikun serb që mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që kanë mjete për të mbrojtur vëllezërit që nuk kërcënohen nga asgjë, apo njerëz që në Facebook, shikojnë vetëm luftë. Kosova e ka fituar luftën, kur ju që jeni këtu s’kishit lindur akoma, si mudn të vazhdojë po njësoj, si mund të jetohet me luftën ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të jetuar me një paqe të qëndrueshme. Njohja e Kosovës është kapitulli final. Ajo që më shqetëson është që të mos ndodhë siç ndodhi me tarifën sepse çuarja e forcave speciale për tu siguruar që nuk ndodh diçka lënduese për njerëzit, por mbatja aty për një kohë të gjatë do të ishte boomerang. Kur u vu tarifa, isha dakort dhe e mbështeta sepse ishin shkruar letra e letra në Bruksel, u desh tarifa. Trupat speciale të zëvendësohen me ata në tavolinë", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Të përdorim diplomacinë, shqiptarët në Preshevë harrohen, serbët në Kosovë më të përkëdhelurit! Tensionet në veri të zgjidhen me dialog, ‘boomerang' nëse ndodh si me tarifën 100%


  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?