Heqja e dinarit, Gjermania propozon 4 muaj tranzicion: Kosova ka treguar se di të komunikojë siç duhet

9 Shkurt, 14:33| Përditesimi: 9 Shkurt, 15:30

  • Share

Ambasadori gjerman në Prishtinë Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e heqjes së dinarit serb për 4 muaj, ashtu siç ka ndodhur edhe me fushatën për liberalizimin e vizave.

Rohde ka thënë se Kosova ka treguar se di se si të komunikojë në mënyrën e duhur dhe se kjo është ajo çfarë duhet tani.

“Kolegu im nga Bashkim Evropian Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës vuri në dispozicion të qytetarëve një linjë telefonike pa pagesë për t’u dhënë mundësi serbëve të Kosovës të informohen më hollësisht për rregulloren e saj për pagesat me para të gatshme.

Rregullorja që përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

Banka e përsëriti se rregullorja nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara dhe se nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

Autoritetet kosovare kanë thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni, por pa treguar se sa do të zgjatë ajo saktësisht.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?