Heqja e dinarit, DASH: Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të vijojnë me urgjencë

28 Shkurt, 09:20| Përditesimi: 28 Shkurt, 16:28

  • Share

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, duhet të vazhdojnë me urgjencë.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Ndërmjetësuesi i tyre, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, ndaj duhen takime shtesë.

Guvernatori i bankës qendrore Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës u shpreh se nuk u diskutua për rregulloren, por për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e shumave monetare nga shtetet e tjera në Kosovë.

Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviç, i cili tha se rregullorja e Bankës kërkon zgjidhje në nivel politik.

Bisedimet pasuan fuqizimin e kësaj rregulloreje, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Por, rregullorja nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë dhe kërkoi pezullimin e saj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?