Haxhinasto kërkon koordinator 
europian për Korridorin VIII-të

31 Tetor 2014, 16:35| Përditesimi:

  • Share
Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto zhvilloi sot një takim pune me ministren bullgare të Transportit, Teknologjisë Informacionit dhe Komunikimeve, Nikolina Angelkova dhe ministrin e Transportit dhe Komunikimit të Maqedonisë, Mile Janakieski.

Ky takim zyrtar, vjen pas takimit informal të ministrave të Transportit në Milano, në shtator të këtij viti, ku u kërkua intensifikimi i bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e infrastrukturës së transportit në vendet e Ballkanit.

Duke e cilësuar infrastrukturën e transportit, si shtyllë mbështetëse kryesore të ekonomisë, ministri Haxhinasto, kërkoi shtrirjen e bashkëpunimit për arritjen e objektivave të përbashkëta në të gjitha nivelet, gjatë planifikimit, aplikimit për burime financiare, si edhe optimizimit të shërbimeve të mirëmbajtjes dhe eliminimin e barrierave jo-fizike të transportit të mallrave. Për këtë, ministri Haxhinasto, ritheksoi kërkesën e caktimit të një koordinatori europian për Korridorin e VIII-të, i cili do të shërbejë për intensifikimin e përpjekjeve për përfshirjen e Korridorit VIII, në rrjetin e korridoreve europiane TEN-T.

Ministri Haxhinasto, përgjatë një prezantimi në forumin e transportit “Lidhja midis Detit të Zi dhe Adriatikut”, theksoi se përveç konsensusit politik, realizimi i investimeve në pjesën shqiptare të Korridorit të VIII-të, ka qenë një përpjekje intensive në mobilizimin e burimeve financiare dhe investimeve, ku përmendi projektin e rëndësishëm Tiranë-Elbasan, segmentin e ri Qukës-Qafë Plloç, si edhe projektin ambicioz të Rrugës së Arbërit.

Të tre ministrat, u shprehën për rëndësinë e pazëvendësueshme të lidhjeve hekurudhore, jo vetëm si metodë më e shpejtë, më e lirë dhe më e gjelbër transporti, por edhe metodë që garanton uljen e amortizimit të rrugëve nga transporti i mjeteve të rënda. Për këtë, Haxhinasto vlerësoi koordinimin për hekurudhën midis shoqërive hekurudhore të Shqipërisë dhe Maqedonisë, çka është një hap më pranë drejt realizimit të lidhjes hekurudhore me shtetin fqinj.

Duke folur për kapacitetet e porteve, ministri Haxhinasto përmendi investimin në rritjen e kapaciteteve në portin e Vlorës dhe Shëngjinit, si edhe projekt-idenë e portit të thellë, të ri të Shëngjinit. Si pjesë përbërëse të Korridorit të VIII-të, ministri e cilësoi si kritik konceptin e intermodalitetit, por edhe të infrastrukturës së komunikacionit me fibra optike përgjatë Korridorit VIII.

Në përfundim, tre ministrat firmosën deklaratën e përbashkët, që do të jetë baza e krijimit të një sekretariati që do të ndjekë interesat e realizimit të Korridorit VIII. /ATSH/

Atsh

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?