Has/ 33-vjeçarja me probleme mendore, shtatzënë dhe e pastrehë! 2 vite më parë mbyti fëmijën! Bashkia thirrje Ministrisë së Shëndetësisë: Duhet rehabilituar

23 Dhjetor 2023, 18:43| Përditesimi: 23 Dhjetor 2023, 18:54

  • Share

Një 33-vjeçare me probleme të shëndetit mendor, endet rrugëve të qytetit të Hasit e braktisur nga familjarët dhe institucionet, edhe pse është 7 muajshe shtatzënë dhe në rrezik aborti. Si rrallëherë shqetësimi është ngritur nga kryetari i Bashkisë Has Miftar Dauti, i cili kërkon në media ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë për rehabilitimin e gruas.

“Vajza është me skizofreni kronike, sipas raportit mjeko-ligjor. Kemi disa ditë që po luhet ping-pong me të. Kjo para 2 vitesh ka humbur një fëmijë dhe është bërë problem i madh në media. Sot jemi në të njëjtat kushte sepse është 7-8 muajsh sipas mjekëve. Familja e saj është në emigracion ndërsa ajo sillet rrugëve në këto kushte të vështira. I kemi drejtuar shkresë të gjitha institucioneve, Shërbimit Social, Prefektit, Ministrisë së Shëndetësisë edhe kryeministrit Rama, sepse nuk gjejmë zgjidhje, dhe kjo zonjë ka nevojë për përkujdesje. Unë i bëj thirrje shërbimit social dhe ministrisë së Shëndetësisë që të na ndihmojnë të gjejmë zgjidhje sepse nuk është problem që e zgjidhim ne. Nëse do ishte problemi i strehimit e merrnim ne përsipër, por në këto kushte e kemi të pamundur. Askush nuk mban përgjegjësi për këtë rast. Kanë shtëpi, familjarët janë emigrantë, dhe kjo vajzë do shoqërues çdo ditë. Ajo do qendër rehabilitim, ajo ka qenë në spitalin e Shkodrës, ata thonë se i përdor ilaçet por ajo nuk është e vetëdijshme. Ne do ti lidhim KEMPIN se i është shkëputur”, thotë Miftar Dauti kryetar i Bashkisë Has.

33-vjeçarja ka kartelë në Spitalin Psikiatrike të Shkodrës për skizofreni kronike, dhe është në pritje të fëmijës së dytë.

“Dy tre vite më parë kjo vajzë ka lindur një fëmijë dhe e ka mbytur sepse është skizofrene kronike. Nuk jam kompetent për të ndjekur këtë procedurë. Nuk dua që të ndodhi përsëri i njëjti fenomen, që të lindi dhe ta mbysë fëmijën”, thotë Miftar Dauti kryetar i Bashkisë Has.

Bashkia e Hasit thotë se mund t’i ofrojë vetëm strehim, por jo trajtim shëndetësor.

“Nuk i kam kërkuar institucioneve asgjë nga ato që më takojnë mua, strehim, ngrohje dhe ushqim ajo janë detyrë e jona dhe ja sigurojmë. Unë kam kërkuar mbështetje deri në lindje”, shprehet Miftar Dauti kryetar i Bashkisë Has.

Ndërsa Spitali i Hasit thotë se 33-vjeçarja ka qëndruar e shtruar disa ditë, dhe se rrezikon abortin nëse nuk merren masa për përkujdesjen e duhur. Madje ky spital nuk ka as mjekë për të pritur lindje të parakohshme.

“Ajo është paraqitur në spitalin tonë, si e pastrehë, mjekët dhe infermierët i kanë ofruar ndihmë, e kanë çuar në Kukës, në Tiranë, por aktualisht është pa përkujdesjen e duhur. Institucionet duhet të bashkëpunojnë që ajo të marrë shërbimin dhe ndihmën e duhur, sepse është edhe shtatzënë. Situata është emergjente, e kam mbajtur disa ditë në spital, ka nevojë imediate për shërbim për përkujdesje. Ajo ka kartelë në Spitalin Psikiatrik në Shkodër, ajo trajtohet për skizofreni, kjo bashkëngjitur dhe shtatzëninë përbën një problem madhor”, Shaban Peka drejtor i Spitalit të Krumës.

“E kemi vizituar, gjendja nuk është e mirë, e kemi dërguar në Kukës, i është bërë EKO dhe është kthyer përsëri në spitalin Has. Është e pa ushqyer, është në muajin e shtatë dhe rrezikon lindjen para kohe. Ne nuk presim lindje të parakohshme këtu, presim vetëm lindje normale”, thotë Valbona Peka kryeinfermiere e Spitalit Has.

Ndërkohë Shërbimi Shtetëror Social shërbimet rezidenciale për PAK ofrohen për individët që plotësojnë kriterin e moshës nga 0-21 vjeç, pas kësaj moshe kujdesen familjarët, që në këtë rast janë në emigrim. Ndërsa në momentin që lind fëmija Shërbimi Shtetëror e merr dhe e dërgon në institucionet e përkujdesit social.

Në kushtet kur institucionet heshtin dhe nuk po marrin përsipër rehabilitimin dhe trajtimin e saj shëndetësor, 33-vjeçarja endet rrugëve në rrezik për abort, ndërsa ende nuk dihet se kush është babai i fëmijës dhe nëse ka qenë pre e ndonjë abuzimi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?