Harta e re gjyqësore përçan avokatët, bojkot në disa qytete! Në datë 21 dhe 22 bojkot masave të sigurisë

20 Qershor 2022, 07:44| Përditesimi: 20 Qershor 2022, 22:01

  • Share

Ndryshe nga vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë e drejtuar nga Maks Haxhia, Dhomat Vendore të Avokatisë në Vlorë, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Korçë dhe Lushnjë kanë njoftuar bojkotin e seancave gjyqësore deri më datë 24 qershor. Ndërsa në datën 21 dhe 22 qershor avokatët thanë se do bojkotojnë edhe masat e sigurisë, gjë e cila nuk ka ndodhur më parë dhe mund të shkaktoj kaos në drejtësi.

Gjykatat i janë rikthyer normalitetit në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Dibër dhe Kukës. Pro hartës së re gjyqësore është shprehur dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve duke argumentuar se shërbimi gjyqësor do të jetë më cilësor.

Kujtojmë se harta e re gjyqësore ka sjellë diskutime dhe reagime mes avokatëve. Dhoma e Avokatisë  vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. 

Report Tv ka siguruar relacionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor i cili shpjegon se për të arritur në draftin me 13 gjykata të shkallës së parë nga 22 dhe në një apel nga 6 që kishte më parë ata kanë marrë modelet, Daneze, Portugeze, Suedeze, Holandeze dhe modelin e Moldavisë.

Ora 12:53
Harta e re gjyqësore, avokatët në Lezhë bojkot dhe protestë para gjykatës, avokatët e Shkodrës protestë të mërkurën

Harta e re gjyqësore ngriti sërish në protestë avokatët e Lezhës.  Ata u mblodhën para Gjykatës së Lezhës, duke bërë të ditur qëndrimin e tyre me bojkot dhe te masave te sigurisë për 2 dite me radhe, ndërsa duke nisur nga dita e marte protestave do ti bashkohen dhe qytetaret.

Ndërkohë Dhoma e Avokatisë Shkodër ka paralajmëruar një protestë ditën e mërkurë në orën 18:00 nën sloganin “Shqipëria jemi dhe ne. Mos i mbyllni Gjykatat”.

Harta e re gjyqësore e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hasur në pakënaqësitë e avokatëve në mbarë Shqipërinë të cilët shprehen se kjo ndarja e re do u rëndojë qytetarëve pasi do rrisë kostot e gjyqeve dhe do zgjasë seancat.

Por nga ana tjetër Shoqata e Gjyqtarëve është shprehur pro kësaj pasi sipas tyre i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve.

Ora 10:26
Bojkoti i avokatëve, në Vlorë përgjatë javës nuk do të zhvillohen 375 gjyqe

1655541559_barjamarj.jpg

Përgjatë javës 375 gjyqe nuk do të zhvillohen nga bojkoti i lajmëruar dy ditë më parë nga Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë.

Sipas vendimit ditën e martë dhe të mërkurë do të bojkotohen edhe masat e sigurimit , çfarë sipas avokatëve do të çonte në kolaps sistemin. Sipas të dhënave nga kancelaritë pranë gjykatave deri në këto momente nuk ka të parashikuara masa sigurimi.

1-Gjykata e Apelit

Dt 20 - 19 cështje nga të cilat 4 janë masa sigurimi
Dt 21 -  1 cështje
Dt 22 - 17 cështje
Dt 23-24  nuk janè caktuar ende pasi janë në seminar
Total 37 cështje

2-Gjykata e Rrethit Gjyqêsor Vlorê

Dt 20- 54 cështje 
Dt 21-  68 çështje
Dt 22- 58 çështje
Dt 23-  47 cështje 
Dt 24 - 7 cështje
Total 234 cështje

3-Gjykata Administrative
Dt 20 - 25 cështje
Dt 21 - 21 cështje
Dt 22-  21 cështje
Dt 23 -  22 çështje
Dt 24 -  15 cështje
Total 104

Total 375 gjyqe përgjatë javës 

Ora 08:55
Shoqata e Gjyqtarëve pro hartës së re gjyqësore: I përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve është shprehur pro hartës së re gjyqësore të propozuar nga KLGJ. Në një njoftim për shtyp Shoqata e gjyqtarëve thotë se harta i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve dhe se do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen.

‘Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me mjaft vëmendje dhe interes të gjithë procesin e hartimit të dokumentit analitik të hartës së re gjyqësore të përgatitur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në konsultim dhe bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të procesit.

Reforma në sistemin e drejtësisë, e mbështetur që në krye të herës nga ana e Shoqatës me mendime dhe nisma propozuese, si një ndër qëllimet e saj kryesore ka ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike. Për ta realizuar këtë lipset projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt.

Edhe pse procesi i vettingut krijoji boshllëqe të mëdha në pushtetin gjyqësor kjo nuk e zbehu aspak, përkundrazi e shtoi vendosmërinë e subjekteve të angazhuara në procesin e skicimit të hartës së re gjyqësore, e cila do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson maksimalisht punën gati tre vjeçare të udhëhequr deri më tani nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me analizën dhe projektimin e hartës së re gjyqësore.

Gjithashtu, Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë. Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument.

Për këtë shkak, ajo mbështet dhe inkurajon miratimin sa më parë të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë. Së fundi, Shoqata shprehet e angazhuar që, si gjithmonë, të mos e kursejë ndihmën e saj për çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardit të dhënies së drejtësisë në vendin tonë.’- thuhet në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?