Hapet laboratori i referencës së ADN-së, të arrestuarve do u arkivohet profili gjenetik! Balla: Analizat do ndihmojnë zbardhjen e krimeve pa autor

14 Shtator 2023, 19:56| Përditesimi: 14 Shtator 2023, 20:05

  • Share

Policia shqiptare do të ketë tashmë në arkivën e saj profilin gjenetik të personave që arrestohen apo ndalohen për vepra të ndryshme penale. Kjo do të mundësohet nga Laboratorit të Referencës së ADN-së që u hap në Institutin e Policisë Shkencore, me ndihmën e qeverisë britanike për të ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në ceremoni, ministri i Brendshëm Taulant Balla tregoi disa nga avantazhet konkrete që sjell ky laborator.

“Do na sjellë proflin e ADN-së të personave të ndaluar apo arrestuar dhe kjo do mundësojë zbardhjen e krimeve të reja dhe të vjetra që kanë mbetur pa zbardhur nga mungesa e këtyre teknologjive”, tha Balla.

Ministri i Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Robert Jenrick, i pranishëm në ceremoni, kujtoi se laboratori u mundësua falë marrëveshjes së vitit të kaluar mes dy qeverive e cila ka dhënë rezultate në luftën ndaj krimit dhe emigracionit të paligjshëm.

“Ky është shembulli i fundit i punës së ngushtë të përbashkët midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, që përfshin nënshkrimin e një komunikate të përbashkët mes kryeministrave tanë në dhjetor, e cila solli një ulje me mbi 90% të numrit të personave që udhëtojnë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar", tha ai.

Vizita e ministrit Jenrick i paraprin takimin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet në Tiranë, për të diskutuar mbi emigracionin e paligjshëm, krimin e organizuar dhe sigurinë kibernetike.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?