Ekonomi

Hapet gara për Aeroportin e Sarandës, investim 37 mln euro! Balluku: Synojmë maksimalisht 1 mln pasagjerë në vit! Aeroporti sezonal, ndërtimi nga privati

30 Korrik 2021, 15:27| Përditesimi: 30 Korrik 2021, 17:36

  • Share

Pas vënies në funksion të Aeroportit të Kukësit, Shqipëria po hedh hapat e para drejt ndërtimit aeroportit të katërt në vend. Të hënën hapet zyrtarisht gara për ndërtimin e aeroportin ndërkombëtar të Sarandës, i cili do të jetë sezonal për arsye turistike. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh gjatë lancimit të këtij projekti se do të jetë një investim plotësisht privat, ndërsa shteti do të marrë përsipër vetëm shpronësimin e pronarëve.

'Prej kohësh Kryeministri Rama ka lançuar strategjinë për zhvillimin  e Aviacionit Civil duke njoftuar si ky zhvillim do të vijë. Pas kontratës së re të firmosur nga qeveria dhe koncensionari i aeroportit të Tiranës , pas hapjes së aeroportit të Kukësit që ka arritur normalitetin duke kryer fluturime përditë. Pas firmosjes së kontratës për aeroportin e Vlorës tani është radha për lançimin e garës për aeroportin e Sarandës. Ministria e Financës ka marrë përsipër kostot për procedurën e koncensionit. Është një procedurë e lehtë pasi shteti nuk ka përfshirje direkte. Shteti nuk ofron një garanci financiare. Do të jetë investim privat që do të kushtojë 37 milionë'- tha Balluku.

E bindur se gara do të jetë e suksesshme ministrja Balluku tha se në vitin e parë të operimit ky aeroport do të ketë 150 mijë pasagjerë, për të arritur në 1 milion në 3-4 vitet e para.

“Në Sarandë presim që në 3-4 vite të elaborojmë 1 milionë pasagjerë.”- shtoi Balluku.

Gara për këtë koncesion do të qëndrojë e hapur deri në 23 shtator. Ministrja Balluku tha ndër të tjera se zhvillimi i aviacionit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi.

'Gara do të jetë e hapur në faqen e ministrisë nga data 2 gusht deri më 23 shtator. Investitori do të ketë mbështetjen totale të shtetit dhe ministrive por procesi i shpronësimeve do të bëhet nga shteti bashkë me Agjensinë e Shpronsimeve. Unë jam e sigurt që banorët e Sarandës do të jenë te kënaqur nga ky lajm i ri.'- tha Balluku.

Ky aeroport do të jetë i hapur 7-8 muaj në vit, dhe do bëjë të mundur që të ketë fluturime nga Veriu në Jug, pra nga aeroporti i Kukësit drejt Sarandës. Aeroporti do të jetë i kategorisë 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë, dhe do jetë 2200 metra i gjatë. Aeroporti do ndërtohet në zonën e Vrionit, në hyrje të Sarandës, përgjatë aksit Gjirokastër-Sarandë.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?