Gjimnazi 'Sami Frashëri'

Hapen konkurset për punonjës psiko-social në shkolla/ Ministrja e Arsimit: Zgjerojmë shërbimin dhe rrisim cilësinë në çdo shkollë të vendit

20 Gusht 2022, 16:55| Përditesimi: 20 Gusht 2022, 16:58

  • Share

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet rrjetit social informoi për hapjen e konkurseve për tu bërë pjesë e shërbimit psiko-social në shkolla.

"Siç ju kemi informuar edhe më parë, këtë vit të ri shkollor kemi vendosur që shërbimit psiko-social në shkollat tona t'i shtohen edhe 235 punonjës të rinj në të gjithë vendin. Ky vendim ka si qëllim rritjen e mëtejshme të cilësisë së këtij shërbimi dhe mbulimin më të plotë të shkollave në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat periferike dhe të largëta",- shkruan Kushi. 

Ministrja shton se këtë vit, këta punonjës do të kenë në dispozicion edhe paketën e dokumenteve të miratuara së fundmi në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, standardet e përgjithshme profesionale, parimet e etikës dhe udhëzuesin për praktikën e punës. Këto do të ndihmojnë ndjeshëm në përmirësimin, standardizimin dhe monitorimin në mënyrë të unifikuar dhe të vazhdueshme të punës së tyre.  

"Dua të ftoj të gjithë kandidatët e interesuar për t'u punësuar në shërbimin psiko-social në shkolla që të aplikojnë sipas procedurave të konkurimit që sapo janë shpallur në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar. Informacionet e nevojshme, kriteret dhe afatet përkatëse mund t'i gjeni në çdo drejtori rajonale dhe zyrë arsimore vendore në çdo bashki të vendit.
Suksese të gjithë kandidatëve!"- përfundon ministrja mesazhin e saj.

A.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?