Hans Lanksch: Si bëhet
rishikimi i historiografisë

19 Prill 2013, 04:20| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Kohën e fundit në Kosovë dhe në Shqipëri ka shpërthyer një debat rreth Peticionit të më shumë se 120 intelektualëve kundër, siç u tha: ndryshimit të historisë. Debati gjeti një jehonë të madhe në mediat shiptare dhe në rrjetin social "Facebook", ku jo rrallë debatohej më tepër me emocione, etiketime dhe paragjykime sesa me argumente. Në Facebook vazhdon grumbullimi i nënshkrimeve të Peticionit.

Siç dihet, shkak i Peticionit ka qenë kërkesa e qeverisë turke që të ndryshohen paraqitje dhe shprehje të përcaktuara në libra shkollorë shqiptarë për sundimin pesëshekullor otoman. Formulimi shpesh i përdorur "ndryshimi i historisë" s' ka kuptim meqenëse faktet dhe ndodhitë e historisë nuk mund të ndryshohen, mund të ndryshohet vetëm paraqitja e fakteve dhe ndodhive, d.m.th. mund të ndryshohet vetëm historiografia.

Debati u zhvillua kryesisht mes atyre që thonë që historiografia shqiptare për sundimin otoman është e saktë e e mirë dhe nuk duhet ndryshuar dhe atyre që e pohojnë nevojën e rishikimit të paraqitjes së historisë shqiptaro-otomane si dhe atyre që pohojnë mundësinë e rishikimit dhe ndryshimit eventual të paraqitjes së kësaj historie, ama jo nga ana e specialistëve turq.

Kohë pas kohe rezultatet e shkencës së historisë (edhe të disiplinave të tjera të shkencës) duhen rishikuar për shkak se ka përvoja të reja, fakte të reja, burime të reja, zbulime të reja, pikëpamje të reja, vlerësime të reja etj., kështu që historiografia kohë pas kohe duhet t' i nënshtrohet një rishikimi. Mirëpo, ajo nuk duhet assesi t' i nënshtrohet urdhrit të politikanëve.

Shkenca e historisë si dhe çdo shkencë tjetër duhet të jetë autonome, e lirë dhe e pavarur nga diktati i politikës dhe nga interesa politike, ekonomike, ideologjike etj. Kuptohet dhe që rishikimi shkencor i paraqitjes së historisë otomano-shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të jetë i njëanshëm, por pala turke duhet të jetë gjithashtu e gatshme që të shikohet dhe rishikohet versioni i saj i kësaj periudhe të historisë së Perandorisë Otomane.

Shkrimi objektiv dhe neutral i historisë është i vështirë nëse ajo ka të bëjë me ish armiq nga konflikte dhe luftra. Shkrimi i historisë së shqiptarëve është sidomos i vështirë sepse është i rënduar nga kujtime dhe përvoja negative dhe kobzeza nga e kaluara.

Shkrimi i historisë së shqiptarëve është sidomos i rënduar edhe nga një hipotekë tjetër, nga hipoteka e diktaturës komuniste e cila kultivonte një mendësi dhe ideologji që e izoloi Shqipërinë dhe e shihte të rrethatuar nga armiq, e vinte në qendër të botës duke lartësuar kombëtarizmin dhe shqiptarizmin ku të gjithë vendet e tjera të botës ishin antishqiptare dhe armiq të përbetuar dhe të poshtër të Shqipërisë e të shqiptarëve. Kjo mendësi u ngjante lojrave të cullëve të vegjël që luajnë "të mirët e të këqinjtë" ku të këqinjtë janë gjithmonë – të tjerët.

Duke pasur parasysh këto dy hipoteka dua të paraqes e të sugjeroj një përvojë gjermane pas LDB-së së Dytë që mund të jetë model për vendet e Ballkanit. Në bazë të traumave nga historia gjermano-franceze, gjermano-çeke, gjermano-poloneze dhe gjermano-izraelite, marrëdhëniet e Gjermanisë me këta fqinjë dhe me Izraelin ishin të shkatërruara.

Qeveria gjermane nuk e vazhdoi rrugën e armiqësisë e të urrejtjes por u përpoq ta çante rrugën e marrëveshjes e të dialogut. Në këtë rrugë një rol prioritar kanë librat shkollorë me të cilët informohet, edukohet, formësohet dhe frymëzohet rinia.

Për këtë, qeveria gjermane filloi të formonte komisione të përbashkëta dypalëshe shkencore për rishikimin e ndërsjelltë të teksteve shkollore ku nën patronazhin e organizatës UNESCO (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë) punonin dhe punojnë vetëm shkencëtarë të historiografisë, didaktikës dhe pedagogjisë të të dyja palëve me qëllim të një paraqitjeje objektive dhe racionale të historisë së përbashkët në tekstet shkollore të të dyja vendeve.

Fillimi u bë më 1951 me të ashtuquajturin "Erbfeind" ("armik të trashëguar me shekuj"), me komisionin dypalësh gjermano-francez me bisedime dhe konferenca të përbashkëta. Më 2006 u botua një libër i përbashkët i historisë, dth. një libër identik historie në të dyja gjuhët për t'u përdorur në të dyja vendet. Më 1962 u formua komisioni dypalësh gjermano-çekosllovak, puna e të cilit u ndërpre nga invazioni sovjetik kundër "Pranverës së Pragës".

Kontaktet e para pas kësaj u vunë vetëm më 1987, në vitin 2002 u formua komisioni i përbashkët gjermano-çek. Komisioni përkatës gjermano-polonez u themelua më 1972. Më 2012, të dyja palët vendosën direktiva të përbashkëta për librin e përbashkët të historisë. Më 1985 u formua komisioni dypalësh shkëncor gjermano-izraelit.

Me një fjalë: puna e dialogut të ndërsjelltë shkencor për të kaluarën e dy popujve nuk është aspak e lehtë dhe as nuk mund të rregullohet mbrenda një muaji por kërkon punë të durueshme dhe afatgjatë që mund të zgjasë jo vetëm vite por dhjetëvjetëshe të tëra. Fryti dhe shpërblimi i këtij durimi dhe kujdesi është, siç na e mëson shembulli gjerman, përballimi i hasmërisë dhe i urrejtjës ndaj "armiqve" shumëshekullorë.

Brezi i babëgjyshes sime qe i edukuar në frymën që francezët qenkan armiq të përjetshëm me të cilët s' ka mundësi pajtimi. Gjyshja për francezët fliste vetëm me termin "Erbfeind", ndërsa djemve të mi dhe as nuk do t'u binte ndërmend të flisnin për francezët ndryshe se për akcilin komb tjetër a lëre me termin idiotesk "Erbfeind".

Rruga e dialogimit dhe përpjekja për gjetjen e zgjidhjeve konsensuale është, siç thamë më lart, e vështirë dhe e gjatë. Mirëpo, siç na e tregon shembulli i Gjermanisë dhe i vendeve fqinje, nëse kjo rrugë shkohet me vullnet të mirë dhe durim ajo mund t' ia çajë rrugën marrëveshjes, përballimit të armiqësisë iracionale dhe urrejtjes dhe, fundja, pajtimit dhe paqtimit.

Qysh tash i ndëgjoj zërat e komentuesve që do të shprehen se rruga e lartpërmendur qenka e mundur me francezët, polonezët etj. ama assesi jo me armiqtë shekullorë të popullit shqipar siç janë otomano-turqit. Është e kollajshme të biesh në ujdi me miqtë dhe problematike me ish-armiqtë. Mirëpo mu kjo e fundit kërkohet poqese shqiptarët duan të hyjnë në rrethin e vendeve të Europës së bashkuar. Nuk kërkohen retushime sipërfaqësore të imazhit të Shqipërisë dhe Kosovës si p.sh. rikatolicizimi sa për sy e faqe i shqiptarëve siç na e tregojnë disa profetë qorr.

Kërkohet që politikanët sundues t'i japin lamtumirën e vërtetë korrupsionit, nepotizmit, lidhjes me strukturat mafioze, mbushjes së xhepave të vet etj., ta instalojnë shtetin juridik dhe të mos ngelin edhe më tej në kurthet e mendësisë iracionale të shekujve të kaluar por të kërkojnë marrëveshe dhe dialog me të gjithë. Nga intelektualët shqiptarë kërkohet që t' ia japin lamtumirën idesë fikse kinse "të huajt" ishin parimisht "antishqiptarë", "racistë antishqiptarë", "armiq", "të paguar nga serbët, grekët, turqit" etj. Rrugë të mbarë!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?