Rudina Hajdari, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik të reformës zgjedhore, një orë para takimit që nis më 17:00 ditën e sotme ka bërë thirrje kolegëve që në këto pak orë që kanë mbetur nga afati i zgjedhores të vijojnë mbledhjen pa pushim deri në arritjen e një konsensusi mes palëve duke zgjidhur 4 çështjet kryesore atë të sistemit zgjedhor, teknologjisë në zgjedhje, administrata zgjedhore dhe kolegjin zgjedhor.
Hajdari shprehet se kjo reformë zgjedhore duhet të bëhet për të pasqyruar interesat e shqiptarëve dhe jo më të partive politike siç ka bërë në këto 30 vite.
"Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje:
Sistemin Zgjedhor;
Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve;
Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore;
Kolegjin Zgjedhor.
Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura. Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar. Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat", shkruan Hajdari.
Lajmi kryesor: